Sistemi online për dhënien e lejeve të ndërtimit, pas 31 marsit

gjermeni9

Shtyhet për në prill vendosja në punë e sistemit online për dhënien e lejeve të ndërtimit. Pas 31 marsit, deklaroi dje ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, çdo aplikim për leje ndërtimi në të gjitha bashkitë e vendit do të bëhet vetëm online.

Sistem elektronik për “e–lejet” është prezantuar dje në një tryezë të organizuar nga ministria, në bashkëpunim me projektin “Përhapja e sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit (e-lejeve) në Europën Juglindore” zbatuar nga GIZ. “Procesi i dhënies së lejeve nuk është as i bllokuar dhe as i pezulluar. Eshtë detyrim ligjor i secilës bashki të pranojë dhe shqyrtojë aplikimet e qytetarëve. Bazuar në vendimin nr. 1, datë 30 korrik 2015, të Këshillit Kombëtar të Territorit: në territoret e ish-bashkive ku ka plane të përgjithshme vendore të miratuara (bashkitë Himarë, Lushnjë, Berat, Kamzë, Tiranë, Fier, Vorë, Mamurras, Durrës, Shkodër, Rrogozhinë, Fushë-Krujë, Bulqizë, Korçë), bashkitë mund të vijojnë normalisht me shqyrtimin dhe dhënien e lejeve të ndërtimit, në përputhje me planet vendore”, deklaroi Gjermeni.

Në të gjitha zonat e tjera të vendit, deri në miratimin e planeve të përgjithshme vendore në proces hartimi, bashkitë mund të vijojnë me dhënien e lejeve të ndërtimit për objekte me funksion prodhues, industrial, bujqësor, turistik, banesa familjare etj. Jashtë zonave të urbanizuara lejohen ndërtime me funksion bujqësor ose blegtoral, si dhe ndërtime në toka të kategorisë truall. “Deri në miratimin e planeve të përgjithshme vendore, për objektet mbi gjashtë kate, leja e ndërtimit do të jepet nga bashkitë përgjegjëse pas një kontrolli paraprak pa vërejtje të Këshillit Kombëtar të Territorit lidhur me përputhshmërinë me instrumentet kombëtare ose vendore të planifikimit në proces”, deklaroi ministrja. “Në zonat me rëndësi kombëtare të trashëgimisë kulturore dhe historike, si dhe përgjatë brezit bregdetar, deri në miratimin e planeve të përgjithshme vendore në proces hartimi, ndërtimet e reja do të jenë objekt shqyrtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit”, bëri të ditur ministrja.

Sistemi elektronik për lejet e ndërtimit do të realizojë njëkohësisht parimin e shërbimit me një ndalesë përmes ndërveprimit elektronik të të gjitha institucioneve të përfshira, si dhe do të evitojë vonesat në vendimmarrje. Hapi i parë është se aplikimi për leje do të kryhet online në portalin “e-Albania”. Aplikuesi do të plotësojë hap pas hapi të dhënat e kërkuara lidhur me (a) llojin e kërkesës që paraqet (p.sh. leje ndërtimi, shtyrje afati, leje përdorimi, plotësim dokumentacioni etj.); (b) llojin e kategorisë së ndërtimit (standarde apo kompleks); (c) nëse është procedurë e përshpejtuar; (d) të dhënat e pronës ku ndërtohet. Sistemi do të mund të lidhet dhe marrë automatikisht të dhëna nga regjistrat e gjendjes civile, QKR dhe QKL dhe, më vonë nga ZRPP (hipoteka).

 

 

Pin It