Strehimi, nis shpërndarja e bonuseve në Tiranë

Projekti për strehimin e familjeve në nevojë po kalon në fazën e shpërndarjes së banesave dhe bonuseve të strehimit. Bashkia e Tiranës ka përfunduar shpërndarjen e banesave sociale, ndërsa do të nisë shpërndarjen e bonuseve të strehimit.

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, tha se disa nga bashkitë që do të përfitojnë nga projekti kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë dhe janë gati për të shpërndarë banesat sociale.

“Deri më tani, pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë bashkitë Mirditë, Has, Pogradec, Korçë dhe Elbasan. Jemi në pritje të plotësimit të dokumentacionit edhe nga bashkitë Malësi e Madhe, Pukë, Lushnjë, Himarë, Librazhd, Tropojë, Shijak”, – tha Gjermeni.

Ministrja sqaroi kategoritë që përfitojnë nga projekti për strehimin permes kreditimit të lehtësuar. Ajo tha së në total në të gjitha bashkitë e vendit do të përfitojnë 196 familje.

“36 familje janë me statusin e personit me aftësi të kufizuar, 48 familje të komunitetit rom. 20 familje gra kryefamiljare dhe 76 familje me të ardhura shumë të ulëta të cilat do të përfitojnë pagesën e qirasë nëpërmjet bonusit të strehimit në masën 50%”, – tha Gjermeni.

Ndërkohë ministrja e Zhvillimit Urban tha se në 2016 do të ketë investime të reja për strehimin e komunitetit rom dhe egjiptian.

“Për vitin 2016 janë 174 familje të komunitetit rom dhe egjiptian, të cilat do të jenë përfituese direkte të investimeve të kryera nga Ministria e Zhvillimit Urban në 9 bashki të vendit. Aktualisht, puna për zbatimin e projekteve ka nisur në 5 bashki,” – sqaroi ajo.

Pin It