Kuvend, sot dekretimi i ministrave

2016021800003

Seanca e sotme plenare, e cila pritet të jetë një betejë debatesh mes palëve pas rikthimit të deputetit Armando Prenga në Kuvend dhe mosmiratimit nga ana e qeverisë të akteve nënligjore të ligjit që është miratuar me konsensus mes palëve për dekriminalizimin do të ketë në rend të ditës edhe miratimin e katër dekreteve të kreut të shtetit për shkarkimet dhe emërimet e ministrave në kabinetin qeveritar.

Edhe pse votimi i dekreteve të Presidentit kërkon një shumicë të thjeshtë votash, Partia Socialiste ka mobilizuar deputetët e saj për të shmangur mungesat e tyre në votim, teksa në votim sot mund të mungojë edhe vetë kreu i Kuvendit, Ilir Meta, për shkak të axhendës jashtë vendit. Nëpërmjet një mesazhi të dërguar dy ditë më parë, PS u kërkon deputetëve të grupit të saj parlamentar konfirmimin me mesazh nëse do të jenë pjesë në seancës plenare, duke kërkuar në këtë mënyrë mosvënien në rrezik në miratimit të dekreteve të kreut të shtetit, për të cilat pritet edhe një interpretim nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Edhe pse ditë më parë opozita ka paralajmëruar bojkotim të seancës plenare, ashtu siç kanë braktisur punimet e komisioneve parlamentare për shkak të pjesëmarrjes në protesta, ajo që do të vendosë “fatin” e qëndrimit të tyre në këtë seancë do të jetë pikërisht mbledhja e Konferencës së Kryetarëve. Vetë Partia Demokratike ka bërë me dije se do të ketë ndoshta një bojkotim të seancës plenare nëse nuk merren parasysh kërkesat e saj në Konferencën e Kryetarëve për amendimet që do të propozojnë për ligjin e dekriminalizimit.

Po dje, PD depozitoi në Kuvend një nismë tjetër ligjore për komisionet hetimore parlamentare, për të cilën kërkon dakordësinë e mazhorancës. Ndërsa PD-ja mblodhi sërish grupin parlamentar për të vendosur përfundimisht skenarët që do të mbahen për ditën e sotme. Nëse nuk merren në konsideratë propozimet e saj, demokratët kanë bërë të ditur se do të bllokojnë Parlamentin.

Gjithsesi, në rendin e seancës së sotme plenare është parashikuar të diskutohet dhe votohet edhe projektligji “Për masat shtesë për sigurinë publike”, si dhe diskutimet jashtë rendit të ditës, diskutime të cila ezaurohen gjatë kohës që është e përcaktuar për diskutimet për projektligje të caktuara.

Pin It