Orët mësimore të hapura për prindërit, vlerësohet kurrikula e re

bb39840c-df19-4d35-80d1-59d387cc3e33-2-1

Prej dy javësh, në gjithë klasat e para dhe të gjashta në vend, po zhvillohen “Orët mësimore të hapura”, ku prindërit janë ftuar të ndjekin nga afër punën që bëjnë mësuesit me fëmijët e tyre si dhe të vlerësojnë kurrikulën e re.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte e pranishme në një orë të hapur mësimore në klasën e parë të shkollës “Vasil Shanto”, ku së bashku me disa prindër ndoqën metodologjinë e përdorur në lëndën e matematikës dhe atë çka ofron teksti i ri.

“Unë pata kënaqësinë të ndjek një orë mësimore në lëndën e matematikës, në klasën e parë dhe ndjeva impaktin që ka tek nxënësit kurrikula e re dhe teksti i ‘Oxford’ me të cilin ata mësojnë. Një metodë interaktive ku nxënësit zhvillojnë kompetencat e tyre. Pashë se si krijohen problemat matematikore, si shkohet tek zgjidhja, si nxënësit ndërveprojnë në grup dhe se si mësuesja është një lehtësuese e procesit të nxënies”, u shpreh Nikolla.

Ministrja e Arsimit shtoi se gjatë këtyre orëve prindërit kanë mundësi të shikojnë nga afër se si fëmijët e tyre janë të lirshëm gjatë orës së mësimit, si përdoren mjetet didaktike, metoda interaktive dhe sipas saj, programi i ri dhe kurrikula që bazohet në kompetenca ka dhënë impaktin e parë.

Pin It