Pagat e mësuesve gjatë vitit 2017 do të jenë 10% më të larta dhe kjo është një shenjë që ekonomia po përmirësohet.
Kështu u shpreh ministri i Financave, Arben Ahmetaj, gjatë një takimi të Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Financave me mësues të shumtë paraditen e së hënës.
Ministri Ahmetaj e cilësoi këtë jo thjesht si një rritje page, por si një reformë në administratën publike, reformë e drejtpërdrejtë në sistemin e arsimit.
“Rritja do jetë 10% dhe për herë të parë në 7-8 vite do kalojnë në rritje reale. Në 2017 kërcejmë në inflacionin akumulativ me 2% plus”, deklaroi Ahmetaj.
Nga ana tjetër ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, tha se reforma e ndërmarrë nga qeveria ka ndryshuar rrënjësisht arsimin në Shqipëri.
Kryeministri Rama gjithashtu vlerësoi rolin e ministres Nikolla në permbushjen e reformës në arsim.
“Nuk them se kemi arritur aty ku duam, por kemi marrë kthesën në drejtimin e duhur për ta bërë arsimin në instrument rritje ekonomike dhe rritje shoqërore. Dua ta falënderoj ministren Nikolla që ka provuar se një zysh si të gjitha gratë e vajzat këtu mundi të bënte në krye të MAS atë që një karvan i tërë burrash me grada shkencore nuk e bënë dot kurrë”, u shpreh Rama.