Reforma në drejtësi, të enjten votimi për 6 projektligjet e tjera

drejtesi

Kuvendi pritet të miratojë të enjten gjashtë ligjet prioritare të paketës së reformës për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë.

Pas miratimit të Vetingut vetëm me votat e maxhorancës, pritet të shihet se si do të votohet për projektligjet e tjera. Ndërkohë opozita ka shprehur mbështetjen vetëm pëer ligjin e SPAK-ut, ndërsa ka refuzuar 5 projektligjet e tjera.

Më herët qeveria miratoi faturën financiare të realizimit të reformës në drejtësi e cila llogaritet të jetë rreth 1.8 miliard lekë ose afërsisht 14 milion e gjysëm dollarë.

Projektligjet e reformës

“Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, SPAK

Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Posaçme dhe njësisë së pavarur hetimore, të krijuara nga neni 148, paragrafi 3 i Kushtetutës. Drafti përcakton kushtet shtesë që duhet të përmbushin prokurorët për t’u emëruar në Prokurorinë e Posaçme, si dhe kushtet dhe procedurat shtesë për zgjedhjen e një Drejtuesi të Prokurorisë së Posaçme, ndërmjet prokurorëve të emëruar në Prokurorinë e Posaçme. Pr/ligji përcakton mes të tjerash dhe kushtet që duhet të përmbushin shtetasit për të qenë oficerë dhe punonjës në njësinë e pavarur hetimore, si dhe kushtet për të qenë punonjës në gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në Prokurorinë e Posaçme.

“Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”

Objekti i tij është përcaktimi i rregullave të organizimit dhe funksionimit të Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, si dhe kushtet që duhet të përmbushin shtetasit që të emërohen prokurorë. Gjithashtu ai përcakton statusin e prokurorit; karrierën dhe procedimin disiplinor të prokurorit; marrëdhëniet e Prokurorisë me institucionet e tjera shtetërore, etj.

Pr/ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”

Ky pr/ligj përcakton parimet dhe rregullat në lidhje me organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si dhe të Shkollës së Magjistraturës.

Pr/ligji “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”

Ky ligj përcakton krijimin, organizimin dhe kompetencat e gjykatave, kushtet dhe procedurat për emërimin e gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, të drejtat dhe detyrimet e gjyqtarëve, masat disiplinore dhe shkarkimin e tyre, si dhe çështje të tjera të lidhura me funksionimin e gjykatave.

Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë

Objekti i këtij ligji është të përcaktojë statusin e magjistratëve dhe ndihmës-magjistratëve, duke parashikuar rregulla për të drejtat dhe detyrimet e tyre; kriteret dhe procedurën për pranimin dhe emërimin; per zhvillimin e karrierës dhe mbarimin e mandatit; kriteret për vlerësimin etik dhe profesionale të tyre etj.

Projektligji “Për Gjykatën Kushtetuese”

Risi kryesore e ketij ligji eshte zgjedhja e anëtarëve të këtij institucioni, përmes një formule të re.

 

Pin It