Nishani kthen për rishqyrtim ligjin e mbetjeve

bujar-nishani_0_0

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ktheu sot ligjin e mbetjeve për rishqyrtim në Kuvend. Ai kërkoi bërjen e disa shtesave dhe ndryshimeve në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, pasi sipas tij ligji aktual bie ndesh me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare me fuqi detyruese në Republikën e Shqipërisë.

Përmes një sqarimi në profilin e tij në Facebook, Nishani tha se vendosi të mos e dekretojë ligjin, sepse ai është në kundërshtim me nenin 59 të Kushtetutës dhe se vendi ynë nuk ka asnjë detyrim karshi vendeve të tjera në këtë çështje.

“Ligji i mbetjeve bie ndesh me nenin 59 të Kushtetutës. Shqipëria duhet të marrë masa për minimizimin e mbetjeve të brendshme dhe në asnjë rast nuk është e detyruar të importojë mbetje të tjera (jo të rrezikshme) nga jashtë. Procedurat për miratimin ishin të përshpejtuara dhe po ashtu është shkelur neni 56 i Kushtetues për mos informim të qytetarëve”, shkruan Nishani.

Ai tha se Shqipëria ka fusha të tjera prioritare si bujqësia, turizmi dhe energjia, pa qenë nevoja të ndërmarrë risqe si riciklimi i mbetjeve për të vënë në lëvizje ekonominë.

“Shteti brenda kompetencave dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Shqipëria është një vend me shumë avantazhe bazuar në atë që i ka dhënë natyra dhe burimet njerëzore vendase, dhe ka strategji zhvillimi në bujqësi, turizëm, energji, të cilat nëse vihen në eficencë krijojnë e do të krijojnë mjaftueshëm vende pune dhe mirëqenie në vend. Avantazhi konkurrues për Shqipërinë nuk mund të jetë riciklimi i mbetjeve të importuara”, deklaroi Nishani.

Kreu i shtetit cilësoi si jobindës edhe miratimin e këtij ligji me vetëm 63 vota pro, duke konsideruar edhe kundërshtimin e vazhdueshëm dhe protestat e shoqërisë civile.

Më herët, gjatë takimeve me përfaqësues të shoqërisë civile dhe industrisë ricikluese, Nishani pati premtuar se vendimi i tij do të ishte në përputhje me interesat e publikut dhe Kushtetutën.

Pin It