FMN miraton këstin prej 36.1 mln euro, rekomandon vazhdimin e reformave

Fondi_Monetar_Nderkombetar_-_2012

Fondi Monetar Ndërkombëtar miratoi këstin e shtatë për Shqipërinë pas një shqyrtimi të hollësishëm të situates ekonomike në vend. Shuma e miratuar nga FMN është 36.1 milionë euro të cilat duhet të përdoren për përmbushjen e një sërë reformash në kuadër të programit mbështetës të FMN.

Pas diskutimeve të bordit ekzekutiv, Z. David Lipton, Zëvendës Drejtor Menaxhues i parë dhe Kryetar i Përkohshëm, bëri një deklaratë në të cilën paraqiti kërkesat e FMN-së për ekonominë shqiptare.

“Reformat e mëtejshme strukturore për të përmirësuar mjedisin e biznesit do të jenë kritike për forcimin e aftësisë konkurruese të Shqipërisë. Fokusi duhet të jetë mbi zbatimin e reformës gjyqësore, forcimin e të drejtave të pronësisë, si dhe përmirësimin e infrastrukturës dhe arsimit. Këto hapa do të ndihmojnë të hapin rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe rritje të qëndrueshme.”

Lipton tha se ecuria e Shqipërisë është e favorshme për rimëkëmbjen ekonomike por ka ende disa reforma me rëndësi kritike për përmirësimin e klimës së biznesit që kanë mbetur mbrapa.

“Angazhimi i autoriteteve për të vazhduar me konsolidimin fiskal është i rëndësishëm, për të vazhduar uljen e dobësive fiskale dhe për të siguruar qëndrueshmërinë e borxhit. Strategjia e konsolidimit duhet të synojë zgjerimin e bazës tatimore, duke kufizuar përjashtimet nga taksat dhe forcimin e pajtueshmërisë dhe administrimit të të ardhurave.”

Sipas FMN-së duhet punuar për zvogëlimin e rreziqeve fiskale nga Partneritetet Publik Privat, duke bërë gjithnjë një analizë kosto-përfitim dhe duke treguar transparencë në përputhje me normat ndërkombëtare. FMN kërkon ndër të tjera të ndërhyhet në nivelin e kredive të këqija për të rigjallëruar sektorin privat.

Pin It