FMN miraton rishikimin e marrëveshjes me Shqipërinë

fmn

Në Uashington, Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të FMN-së miratoi rishikimin e 5-të e të 6-të të Marrëveshjes me Shqipërinë, duke i hapur rrugë disbursimit të këstit 72.4 milion euro. Zv.Drejtori i Përgjithshëm i FMN-së, Min Zhu, deklaroi se “rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare po ecën sipas programit, ndonëse ekzistojnë risqe”. Ai tha se “autoritetet treguan performancë të fortë, duke përmbushur objektivat e marrëveshjes me FMN-në, përfshirë zbatimin e reformave strukturore të vështira e ambicioze”. Por, iu kërkohet të vazhdojnë reformat e të përfitojnë nga progresi thelbësor i arritur, për të përshpejtuar rritjen ekonomike.

FMN i kërkon Shqipërisë të reduktojë mbështetjen në masat e përkohshme e të shmangë përjashtimet fiskale apo vendosjen e normave preferenciale. Kërkesa duket e lidhur me masën e fundit të qeverisë për të përjashtuar nga taksat 83 mijë biznese të vogla. FMN i tërheq vëmendjen ekzekutivit dhe për mënyrën si po përpiqet të luftojë informalitetin, që përpjekjet e autoriteteve për të përmirësuar mbledhjen e taksave, të përputhen më mirë me praktikat ndërkombëtare e të mbështeten në përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore. Në fund, Fondi bën thirrje për kujdes për konçensionet, për të cilat kërkon të vlerësohen në mënyrë transparente në llogaritë fiskale.

Pin It