Forumi për Median, Borchardt: Pavarësia e medias kusht për zgjedhje demokratike

berd-borchardt-1

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, deklaroi se pavarësia dhe profesionalizmi i medias përbjënë kusht për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike. Gjatë Forumit për Zhvillimin e Medias, Borchardt shprehu shqetësimin e tij për mënyrën se si bëhet mbulimi i zgjedhjeve nga media shqiptare.

Ai tha se praktika e transmetimit të produkteve të njësive të Marrëdhënieve me Publikun të partive politike, në vend të raportimit të paanshëm mbi fushatat politike, e dëmton demokracinë.

“Të ashtuquajturat “kasetat e partive” duhet të transmetohen vetëm si pjesë e programeve që etiketohen qartë si marketing politik. Asgjë nuk mund të zëvendësojë një mbulim mediatik të prodhuar në mënyrë autentike dhe të pavarur”, tha Borchardt.

Ambasadori solli në vëmendje një nga rekomandimet e OSBE-së për reformën zgjedhore në vitin 2015 për “shfuqizimin e dispozitave të nenit 84 të Kodit Zgjedhor që lejon filmimet e prodhuara nga partitë politike të transmetohen në lajme.”

Borchardt siguroi mbështetjen e OSBE-së për gazetarët, duke theksuar se ata meritojnë pozicion shoqëror më të mirë dhe siguri në punë. Ai bëri thirrje për zbatimin e kodit të punës në të gjitha kompanitë mediatike. Sipas tij punësimi informal në media sjell mungesën e pavarësisë editoriale duke i hapur derën presioneve të ndryshme.

Pin It