HISTORIKE/ Kosova pranohet në UEFA

uefaaaa

Përfaqësuesja e Kosovës bëhet pjesë e UEFA-s. Kërkesa e FFK-së mori në Kongresin e Budapestit aq vota sa i nevojiteshin duke u bërë anëtarja e 55 e organizatës.

Në përfundim të votimit Kosova mori 28 vota në favor të anëtarësimit, 24 kundër dhe dy vota ishin të pavlefshme.

Kundërshtaret më të zëshme të anëtarësimit ishin Zvicra dhe Serbia.

Para hedhjes për votim të Kosovës, kreu i Federatës së Futbollit Kosovar, Fadil Vokrri kërkoi nga vendet anëtare që të mos penalizojnë futbollin dhe të ndjekin shembullin e organizatave të tjera sportive që kanë njohur Kosovën.

“Thuajse të gjitha federatat sportive në Kosovë janë njohur ndërkombëtarisht, ka mbetur vetëm futbolli. Na jepni mundësinë që edhe futbolli të njihet ndërkombëtarisht. Nuk ka asnjë arsye se përse Kosova të mos jetë pjesë e UEFA-s”, tha Vokrri.

Pas Vokrrit fjalën e mori kreu i Federatës Serbe të Futbollit, që e cilësoi politik gjithë procesin.

“Po mbroj futbollin nga politika. Sigurisht nuk jemi kundër shtrirjes së futbollit në gjithë kontinetin tonë, por futbolli nuk duhet të kalojë linjën për të ndryshuar kufijtë e çdo vendi dhe pranimi i Kosovës do të vërtetonte që politika do të abuzonte futbollin ndaj duhet t’i themi jo imponimit të politikës mbi futbollin”, tha ai.

Zvicra, ndonëse në mënyrë më të moderuar se Serbia, u rreshtua kundër anëtarësimit. Përfaqësuesi i saj vuri theksin tek e ardhmja e futbollistëve të kombëtares së vet dhe statusit të tyre nëse kosova do të anëtarësohet.

Frikës së Zvicrës iu përgjigj kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

“Kosova tashmë është një realitet që luan futboll, organizon kampionate brenda, ka skuadrat e veta dhe federatën e vet që nuk ka lidhje me federatën serbe. Edhe ne kemi futbollistë me origjinë nga Kosova dhe frika se mund t’i humbim ata nuk është me rëndësi për ne, me rëndësi është që të mendojmë për futbollin dhe vetëm për futbollin”,  është shprehur Duka.

Pin It

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *