ISSH, intensifikohen kontrollet në pishina dhe subjekte të tjera

pishinat-tirana

Intensifikohen inspektimet në të gjitha subjektet, që janë në shërbim të popullatës, kryesisht gjatë sezonit turistik veror. Lajmi konfirmohet nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, sipas të cilit, përveç inspektimeve të planifikuara në Planin Vjetor 2016 nga ana e degëve të ISHSH-së në qarqe po u kushtohet vëmendje inspektimeve në pishina dhe në subjekte të tjera si: restorante, fast-food-e etj. “Zbatimi i ligjit në mënyrë konstante dhe të barabartë nga ana e inspektorëve të ISHSH do të shmangë çdo lloj keqkuptimi për të gjithë ata subjekte që ofrojnë shërbimet e mësipërme gjatë sezonit veror dhe në të njëjtën kohë do të krijojnë besimin e nevojshëm te pushuesit për cilësinë e shërbimit të ofruar”, thuhet në njoftimin e ISHSH-së. Sipas tij, në pishina inspektimi do të ketë në fokus përveç plotësimit të një sërë kërkesash edhe: Rregulloren e brendshme për pishinat; Praninë e një personi të kualifikuar për vëzhgim, shpëtim dhe dhënien e ndihmës së parë; Pasjen e një pike të ndihmës së shpejtë; Respektimin e kapaciteteve të frekuentuesve sipas sipërfaqes së pishinës dhe kryerjen e analizave fiziko-kimike dhe të atyre bakteriologjike të ujit etj. “Në subjekte të shërbimit të ushqimeve të përgatitura si restorante, fast-food-e, inspektimi do të ketë në fokus përveç të tjerave edhe: Veshjen me pllaka majolike të mureve të kuzhinës e të lavamanëve në lartësinë 1.60 m; Pasjen e një vendi të posaçëm për larjen e enëve; Rrjetat e telit në dritare; Frigorifer ose dhomë frigoriferike për produktet ushqimore; Pasjen e vendeve të veçanta për larjen e duarve të klientëve; Ndarjen e produkteve ushqimore në frigorifer; Ruajtja e kampioneve ushqimore për një periudhe 24-orëshe; Plotësimin e kërkesave higjieno-sanitare në vendet e magazinimit e të ruajtjes së produkteve ushqimore etj”, saktëson ISHSH. Theksohet se respektimi i këtyre kërkesave është domosdoshmëri për të gjitha pishinat dhe subjektet e shërbimit të ushqimeve. “Inspektorati Shtetëror Shëndetësor fton të gjithë qytetarët të bashkëpunojnë me ISHSH duke denoncuar çdo rrezik të shëndetit publik pranë numrit pa pagesë 0800 40 40 ose në portalet ‘Stop Korrupsionit’ dhe ‘Komisariati Dixhital’”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor.

 

Pin It