Ja si do të bëhet kompensimi fizik i pronave

20141126100821519646

Një vendim i këshillit të ministrave ka përgatitur një skemë të re për hapat që do të ndiqen për kompensimin e pronave, nga pretendimi i pronarit deri tek mbyllja e procesit. Kështu për herë të parë është krijuar Agjencia e Trajtimit të Pronës e cila do të marrë në shqyrtim kërkesën e pronarëve, dhe të gjitha vendimet e mëparshmen në lidhje me kompensimin e pronës. Ajo tashmë do të bëj një vlerësim të pronës, por sipas kritereve të reja, që do të bëhet duke u bazuar në hartën më të re të vlerës në bazë të zërit kadastral që ka patur prona në kohën e shpronësimit.

Nëse pronari është shpronësuar pjesërisht atëherë ATP do të vijoj duke vlerësuar diferencën e mbetur. Nëse do të bëhet vlerësimi financiar atëherë do të zbritet vlera e shpronësimit fizik. Pra nëse një pronar do të shpronësohej për 1 ha tokë, por deri tani ai është shpronësuar  me pronë fizike me 5dynym atij i ka ngel edhe 5 të tjera. Nëse ATP vendos ta shpronësoj me para, atëherë do të bëhet vlerësimi i tokës së konfiskuar e (1ha) do bëhet edhe vlerësimi i tokës fizike të shpronësuar dhe diferenca do të jepet në para.

Në ato raste, kur ka vendime përfundimtare, që kanë njohur të drejtën e kompensimit, që janë të përcaktuara me vlerë dhe ende të pa ekzekutuara, ATP do të bëjë vlerësim duke i shtuar vlerës së përcaktuar indeksimin sipas vlerës zyrtare të inflacionit dhe interesin bankar.

 Kriteret

Sipas VKM-së, të gjitha vendimet përfundimtare, të vlerësuara financiarisht si tokë bujqësore, pyll, livadh e kullotë përfitojnë kompensim fizik nga fondi i tokës. Ndërsa të gjitha vendimet përfundimtare, të vlerësuara financiarisht si tokë truall, përfitojnë kompensim financiar deri në 50 milionë lekë dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi kompensohet fizikisht nga fondi i tokës.

Kriteri për shpërndarjen e fondit të tokës për kompensim fizik është që ATP-ja të përzgjedhë pronën gjeografikisht më pranë pronës së njohur për kompensim. Në rastet kur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar për tokën truall rezulton se pjesa e mbetur është deri në 5% më e madhe se vlera 50 milionë lekë, subjekti kompensohet për të gjithë vlerën.

Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 1 viti, atëherë ai përfiton 20% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere. E njejta gjë, por brenda 3 vjetësh, atëherë ai përfiton 30% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër. Ndërsa, kur kërkon të kompensohet financiarisht brenda 5 vjetësh, ai përfiton 40% të vlerës.

ATP-ja mund të përdorë për kompensim fizik me pronë shtetërore pasuri, të cilat, në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, figurojnë në pronësi të shtetit dhe plotësojnë, të paktën, njerën nga kushtet e mëposhtme: toka të ndodhet ndërmjet ose ngjitur pronave/pronës së kthyer me vendim përfundimtar administrativ apo gjyqësor dhe toka të mos ketë asnjë funksion publik.

Pin It