Kanë, Ken Loach fiton Palmën e Artë me një film për problemet sociale

ken

Fitues i edicionit të 69-të të Festivalit të Filmit në Kanë është regjisori britanik Ken Loach me filmin “Unë, Daniel Blake”. Filmi që i dha regjisorit Palmë e Artë trajton një temë social-ekonomike të ditëve të sotme.

Filmi “Unë, Daniel Blake” rrefen jetën e një 60-vjeçari nga Newcastle i cili përballet me pengesat burokratike, teksa përpiqet të përfitojë ndihmën ekonomike për arsye të problemeve me shëndetin, që nuk e lejojnë të punojë. Përpjekjet e tij ndërthuren me luftën për mbijetesë të një nëne të re me dy fëmijë.

Fjalimi i regjisorit 80-vjeçar gjatë marrjes së çmimit u prit me duartrokitje të shumta nga publiku francez, i cili kohët e fundit është i revoltuar ndaj reformave të tregut dhe punësimit.

Ken Loach iu drejtua audiences në frëngjisht dhe tha se ishte ndjesi e çuditshme të merrje çmimin në një mjedis aq të shndritshëm, duke marrë parasysh kushtet në të cilat jetojnë njerëzit që e frymëzuan për atë film.

“Një botë tjetër është e arritshme dhe e nevojshme”, tha ai.

Kjo është hera e dytë që Loach fiton Palmën e Artë pas fitores në vitin 2006 me filmin “The wind that shakes the barley”.

Pin It