Taksat, nafta dhe skanimi ulin konkurrueshmërinë e biznesit të transportit

transportirrugor

Biznesi i transportit në Shqipëri nuk është konkurrues në rrugë tokësore dhe detare për shkak të taksave dhe çmimit të lartë të naftës. Barra fiskale, tarifa e skanimit prej 22 eurosh për çdo deklaratë dhe çmimi i naftës ndikojnë ndjeshëm në ofrimin e shërbimit të transportit të mallrave.

Operatorët e këtij tregu shprehen të shqetësuar për kushtet e pabarabarta në të cilat konkurrojnë me vendet e tjera të rajonit. Genc Mataj, drejtuesi i shoqërisë së transporit “Pelikan”, thotë se prej dy vjetësh po ndihen efektet e barrës fiskale.

“Rreth 62 euro është rritur kostoja e skanimit me Kosovën dhe kjo për shkak të skanimit, por edhe të zbatimit nga ana e tyre të një takse prej 40 euro në terminale. Rritja e kostove çon në ulje të konkurrueshmërisë”, thonë drejtuesit e kësaj kompanie.

Çmimi i naftës në Shqipëri vlerësohet rreth 30% më i lartë në krahasim me Maqedoninë apo me Kosovën. Avantazhi i vendit tonë është pozita e favorshme gjeografike dhe prania e porteve detare si ai i Durrësit.

“Porti i Durrësit është më fleksibël krahasuar me atë të Selanikut dhe ky është padyshim një avantazh. Nga ana tjetër porti i Barit në Mal të Zi nuk ka kapacitete për të përballuar flukse të larta dhe nuk është i krahasueshëm me Portin e Durrësit”, thotë z.Mataj, i cili thekson se investimet e qëndrueshme në portin më të madh të vendit janë domosdoshmëri.

Megjithatë, raporti i Këshillit të Investimeve thekson se edhe avantazhi që sjell pozita gjeografike e vendit në raport me vendet e tjera të rajonit nuk po shfrytëzohet si duhet për shkak të pengesave doganore.

Pin It