Komision i posaçëm për institucionet antikorrupsion

drejtesi

Komisioni për reformën në drejtësi ka përgatitur projektligjin për ngritjen e institucioneve antikorrupsion, i cili parashikon themelimin e një komisioni të posaçëm për mirëfunksionimin e reformës në drejtësi.

Komisioni do të ngrihet nga Gjykata e Posaçme dhe Byroja Kombetare e Hetimit dhe do të përbëhet nga dy prokurorë, një gjyqtar, një hetues byroje dhe nga një punonjës i hetimit financiar. Ky komision do të hetojë pasurinë dhe figurën e kandidatëve dhe brenda 120 ditëve do t’i dërgojë Byrosë hetimin për secilin.

I quajtur ndryshe si ligji i SPAK-ut, ky projektligj rregullon funksionimin e Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe gjykatave speciale për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai gjithashtu parashikon procedurat e verifikimit të kushteve të sigurisë përpara emërimit në detyrë.

Çdo kandidat i sistemit të drejtësisë duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme para se të emërohet: kontrolli i verifikimit të pasurisë dhe figurës; dhënia e pëlqimit për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, për të cilën kandidati plotëson dhe nënshkruan një deklaratë me shkrim etj.

Ligji pritet të miratohet të enjten e ardhshme, datë 6 tetor, në Kuvend.

Pin It