TAP, faza e parë e shtrimit të tubacioneve Fier-Berat

tap_route_albania_en_rgb_672x430

Në Fier filloi ndërtimi i pjesës tokësore të gazsjellësit transadriatik, që do të kalojë në Shqipëri me një gjatësi prej 215 kilometrash. Kjo shënon dhe fazën e parë të shtrimit të tubacioneve Fier-Berat, ndërsa deri tani janë rikonstruktuar urat dhe rrugët që të çojnë në vendet ku kalon gazsjellësi, që pritet të fillojë punën në janar të vitit 2020.

Kryeministri Edi Rama, pjesë e ceremonisë veçoi avantazhet e këtij projekti për Shqipërinë.

“TAP ka rehabilituar afro 100 km rrugë në zonat e Korçës, Çorovodës dhe Fierit. Ka ndërtuar dy ura të reja dhe ka rehabilituar 42 ura të tjera. U ka dhënë punë më shumë se 1700 personave, prej të cilëve 90% janë shqiptarë me një pagë mesatare 600 euro. Në bashkëpunim me autoritetet shqiptare është rritur numri i përfituesve nga shpronësimet ku kalon gazsjellësit. Mjafton të theksoj se që së bashku kemi plotësuar dokumentacionin për 13 mijë parcela, në total 17 mijë hektarë me 25 mijë përfitues”, tha Rama

Përveç dobive ekonomike, gazsjellësi pritet të zhvillojë industrinë e gazit në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama tha: “Ne nuk duam të jemi vetëm rrugëkalimi. Në harkun e 20 viteve ngrohja do të bëhet me gaz”.

Nga kufiri mes Turqisë dhe Greqisë, deri në Itali, TAP-i do të jetë afërsisht 878 km i gjatë. Pika më e lartë do të jetë 1800 metra mbi nivelin e detit në malet shqiptare, ndërsa pika më e ulët do të jetë 820 metra në thellësi të ujërave të Adriatikut.

Pin It