Kosova bëhet anëtare e Asamblesë Parlamentare të KiE

pace

Kosova është zyrtarisht anëtare e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Duke filluar nga janari i vitit 2017 Kosova do të marrë pjesë në seancat e asamblesë parlamentare me një delegacion të përbërë nga tre anëtarë, pozitë, opozitë dhe minoritet.

Vendimi u mor ditën e hënë me shumicë votash gjatë sesionit të APKE. Delegacioni i Kuvendit të Kosovës dhe ai i Shqipërisë lobuan së bashku për pranimin e Kosovës në këtë asamble.

Tashmë Kuvendi i Kosovës do të mund të marrë pjesë në mbledhjet e Komitetit për Demokraci ku vendoset edhe për raportime, apo rezolutat për Kosovën, si dhe do të ketë të drejtën e fjalës brenda mbledhjeve.

“Delegacioni i Kosovës në bashkëpunim me delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë, të cilin e udhëheqë Valentina Leskaj, si dhe me anëtarët e shteteve mike të Republikës së Kosovës, zhvilluan lobim të fuqishëm. Në veçanti delegacioni i Kuvendit të Kosovës falënderon Valentina Leskaj, e cila është edhe pjesë e Byrosë të APKE-së, për angazhimin e saj me përkushtim gjatë mbledhjeve të Byrosë, Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci, seancave Plenare që Kuvendit të Kosovës t’i jepet e drejta që të përfaqësohet me delegacionin e tij për herë të parë në APKE, institucion në të cilin bëjnë pjesë delegacionet e 47 vendeve anëtare, dhe të ketë mundësi për lobim si dhe të përfitojë asistenca të ndryshme në ndërtimin dhe zhvillimin e diplomacisë parlamentare, të cilat ofrohen nga Këshilli i Evropës”.

Pin It