Kthimi i Kombëtares, Tirana gati për të pritur kuqezinjtë

futboll

Kombëtarja Shqiptare e Futbollit do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit sot (e enjte, 23 qershor) në orën 15:30, pas pjesëmarrjes së saj në Euro 2016. Qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës kanë planifikuar një sërë aktivitetesh në shenjë falenderimi për përfaqësimin e denjë në Kampionatin Europian.

Fillimisht kuqezinjtë do të priten në Rinas  me ceremoni zyrtare, nga ku do të udhëtojnë me autobus të hapur drejt Tiranës dhe i gjithë rrugëtimi do të transmetohet drejtpërdrejt në televizione.

Më pas Kombëtarja do të ndalet në Bashkinë e Tiranës, ku kryetari Veliaj do t’iu dorëzojë çelësin e Tiranës në shenjë falenderimi. Ashtu siç premtoi kryeministri Rama pas fitores me Rumaninë, kuqezinjtë do të priten edhe në Ministrinë e Jashtme për t’u pajisur me pasaporta diplomatike, si përfaqësues të denjë të diplomacisë publike.

Ndalesa e parafundit e axhendës është Kryeministria. Ndërsa në fund futbollistët dhe trajneri De Biazi do të vizitojnë “Fan Zone” në sheshin Nënë Tereza, ku do të takohen me tifozët. Kjo është edhe pjesa që pritet të shoqërohet me më shumë entuziazëm dhe surpriza nga tifozat e shumtë kuqezi që kanë ndjekur çdo ndeshje me emocion.

Kombëtarja Shqiptare e Futbollit kthehet në Tiranë pas pjesëmarrrjes në fazën e parë të Euro 2016, ku Shqipëria u përfaqësua për herë të parë. Pavarësisht moskualifikimit në fazën 1/16, ekipi kombëtar fitoi jehonë në gjithë Europën, si rrjedhojë e lojës së bukur dhe mbështetjes së fortë të tifozerisë.

Pin It