Shkëmbimi i mallrave mes Shqipërisë dhe Italisë do të jetë tashmë më i thjeshtë. Parlamenti Italian vendosi pro shfuqizimit të tarifës fikse dhe taksës rrugore për transportuesit shqiptarë.
Synimi i këtij vendimi është rritja e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve, që prej vitesh kishin si pengesë taksat e transportit. Tani e tutje transportuesit shqiptarë do të kenë kosto më të ulët gjatë tregtisë me Italinë dhe ky është një lajm i mirë për ekonominë shqiptare, nëse mbajmë parasysh që Italia mbetet partnerja kryesore e shkëmbimit të mallrave me vendin tonë.
Kryeministri Rama dhe Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati falenderuan kryeministrin italian Matteo Renzi për vullnetin e treguar në lehtësimin e marrëdhënieve tregtare dypalëshe. Rama njoftoi lajmin në rrjetin social Facebook duke shkruar:
“Lajm i mirë: Parlamenti italian heq detyrimin e transportuesve shqiptarë për #DirittoFisso & taksën e qarkullimit. Grazie Matteo Renzi.”
Ndërsa ministri Bushati u shpreh se heqja e këtyre tarifave u bë e mundur falë përpjekjeve të dy qeverive për të lehtësuar punën e transportuesve, në funksion të rritjes së shkëmbimeve tregtare të dy vendeve.