Ligji i ri, Italia ndalon daljen e kompanive Call Center jashtë BE-së

call-center

Italia do të ndalojë shpërnguljen e kompanive të Call Center jashtë vendeve të Bashkimit Europian, por ende nuk dihet nëse kjo do të prekë kompanitë që operojnë aktualisht në Shqipëri. Ligji për këtë çështje u miratua në dhomën e deputetëve në Itali dhe pret votimin e Dhomës së Senatit në datën 6 dhjetor.

Ndërkohë Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në Shqipëri thotë se ligji ende nuk është miratuar. Sipas MMSR, edhe nëse ky ligj miratohet në Senatin Italian, ai duhet të marrë miratimin e Komisionit Europian për të hyrë në fuqi.

Ligji i ri parashikon se kur një tregtar vendos për lokalizimin jashtë territorit kombëtar, në një vend që nuk është anëtar i Bashkimit Evropian, duhet të njoftojë së paku 30 ditë para transferimit në Ministrinë e Punës. Ata që shkelin ligjin do të gjobiten deri në 150 mijë euro.

Sipas ligjit operatori duhet të informojë qytetarin, nëse telefonon jashtë BE dhe qytetari ka të drejtë të kërkojë një operator tjetër, që gjendet brenda Bashkimit Europian.

Zhvendosja e kompanive “Call Center” jashtë Italisë, ku punonjësit paguhen më pak, solli përfitime për to, por shkaktoi humbjen e vendeve të punës për shumë italianë.

Sipas të dhënave nga tatimet numri i të punësuarve në “Call-Center” në Shqipëri është rreth 25 mijë. Ky numër është përqendruar në Tiranë, por edhe në Durrës e Fier. Ndërkohë sipas INSTAT numri i kompanive “Call-Center” në vitin 2015 arriti në 847, nga 414 që ishin në fund të vitit 2014.

Pin It