Lofata dekorative me vlera ushqyese dhe kuruese

Kjo pemë e famshme e Mesdheut, e cila ngrihet e lartë deri në 10 metra, çel si fillim lule me ngjyrë rozë. Pema ka një trung të trashë dhe degë të shumta. Ajo çel dy herë në vit, një herë në periudhën mars-maj dhe më pas në tetor deri në nëntor, por në këtë periudhë, lulet janë pothuajse të padukshme për shkak se mbulohen nga gjethet e dendura. Kjo pemë arrin të mbijetojë 35 deri në 40 vjet.

Gjethet e lofatës kanë formën e bukur të zemrës. Farat e saj janë të strehuara në një bishtajë të veçantë. Përpara çeljes së tyre, lulet e vogla mbulojnë degët e pemës me një ngjyrë gri të errët. Forma e çrregullt e luleve dhe gjetheve i bën shkencëtarët të mendojnë se lofata është pjesë e familjes botanike të bizeleve.

Kjo pemë e bukur ka gjetur përdorim jo vetëm në mjekësinë popullore, por edhe në gatime dhe në kozmetikë. Lulet e lofatës së Lindjes janë përdorur zakonisht në gatimin e sallatave dhe ëmbëlsirave. Nuancat e thella të lules janë një tregues i flavonoidëve të shëndetshëm siç është kuercetina.

Këto lule janë të preferuara mes bletëve sidomos për prodhimin e mjaltit. Lulet dhe gonxhet janë të ngrënshme. Ato gatuhen dhe përshtaten mirë me vajin e ullirit dhe me uthullën. Por nëse lulet qëndrojnë në pemë për shumë kohë, ato bëhen të hidhura. Lulet e Lofatës, të njoma ose të thata mund t’i shtohen vajit tuaj shqiptar ekstra virgjër të ullirit dhe të lëshojnë aty vlerat e tyre më të mira medicinale. Një grusht lulesh për gjysëm litër vaj ulliri është masa e duhur.

Tanina që gjendet në pjesën e brendshmë të lëvores që mban farat e pemës dhe pjesa e rrënjës janë përdorur për probleme me mushkëritë, kollën dhe për diarenë. Copëza të lëvores dhe rrënjëve të thara të Lofatës grihen dhe bëhen pluhur dhe nga ky pluhur përftohet një çaj me vlera shumë të mira antioksidante për organizmin.

Rrënjët e pemës kanë gjetur përdorim edhe mes prodhuesve të tekstileve që e kanë shfrytëzuar atë për ngjyrosje.

/AgroWeb/

Pin It