Marrëveshje ekonomike-teknike Kinë- Shqipëri; Thellohen marrëdhëniet e bashkëpunimit

Nënshkrohet Marrëveshje ekonomike-teknike mes Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, nga Ministrja e Kulturës,  Mirela Kumbaro dhe Ambasadorja e R.P. të Kinës në Shqipëri, Shkëlqesia e saj, Madame Jiang Yu.

Qeveria e Republikës Popullore të Kinës i jep Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë një grant me vlerë 2 milionë dollarë, që do të përdoren për dhurimin e pajisjeve në zbatimin e punimeve të projektit me objekt: Rikonstruksioni i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor.

“Kjo marrëveshje është një ëndërr e bukur për një kohë të gjatë”- u shpreh ambasadorja Znj. Jiang Yu, e cila shtoi se “Marrëdhëniet tona me Shqipërinë janë bërë më të shpeshta dhe më të mira ç’ka nënkupton se kultura është shkëmbim i shpirtit të popujve tanë”.
Ministrja e Kulturës, Znj. Mirela Kumbaro u shpreh se “Jemi në një moment të rëndësishëm të bashkëpunimit tonë, ku R.P e Kinës, jo vetëm që jep një kontribut të vyer, por edhe lë gjurmën e vet në qendër të Tiranës. Marrëveshja e bashkëpunimit kulturor me Kinën është një nga më të suksesshmet”.

Pas nënshkrimit të Deklaratës së përbashkët të Iniciativës për Kulturën 16+1 ku bëjnë pjesë vendet e Europës Qendrore- Lindore dhe Kina në Sofje, dy ministrat e kulturës, Znj.Mirela Kumbaro dhe Z. Luo Shugang ndërtuan marrëdhënie më të ngushta dypalëshe duke intensifikuar programin e bashkëpunimit kulturor.

Në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit kulturor, Shqipëria dhe Kina kanë firmosur marrëveshjen e përbashkët 5 -vjeçare. Marrëveshja u nënshkrua në Tiranë nga ministrja Znj. Mirela Kumbaro dhe zëvendësministri kinez i kulturës Z. Ding Wei. Data 31 qershor 2016, shënon dakordësimin e marrëdhënies kulturore, të institucionalizuara përmes marrëveshjes dy palëshe, të nënshkruar për periudhën 2016-2018, e cila parashikon bashkëpunim dinamik mes dy Ministrive, që do të realizohet në shkëmbime konkrete në fushën e muzikës, teatrit, botimit, artit pamor, cirkut, filmit dhe folklorit duke besuar fort në promovimin e diversitetit kulturor.

Gjithashtu u ra dakord për asistencë dhe përfshirje në programe trajnimi në art, kulturë dhe trashëgimi.
Takimi i 19 shtatorit 2016 i dy ministrave të kulturës, Znj. Mirela Kumbaro dhe Ministri i Kulturës së Kinës, Z. Luo Shugang konfirmoi këtë bashkëpunim dhe ritmin e tij duke theksuar një projekt shumë të rëndësishëm për skenën shqiptare: angazhimin e qeverisë kineze për mbështetje financiare në realizimin e projektit të rindërtimit të TKOB.
Marrëveshja e sotme tregon edhe njëherë se Shqipëria dhe Kina e shohin kulturën si një potencial të rëndësishëm bashkëpunimi jo vetëm për artin, por edhe për zhvillimin e qëndrueshëm.

Pin It