“Naim Frashëri i Artë” për revistën “Drita Islame”, Nishani: “Dritë për mendjet e shpirtrat tanë”

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë zhvilloi të martën, 28 shkurt, konferencën shkencore “25 vjet Drita Islame”, në kuadër të 25-vjetorit të themelimit të revistës “Drita Islame”, organi i parë mediatik i Komunitetit Mysliman.

Në këtë përvjetor jubile Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, i akordoi revistës “Drita Islame” titullin “Naim Frashëri i Artë” me motivacionin “për kontributin e saj në zgjimin e ndërgjegjes fetare e kombëtare, me anë të promovimit të atdhedashurisë, harmonisë, mirëkuptimit, kulturës e vlerave humane të besimit Islam në mbarë kombin shqiptar”.

Në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes presidenti Bujar Nishani vlerësoi rëndësinë dhe kontributin e “Dritës Islame” në çështjen fetare e kombëtare dhe standartet e saj të larta.

“Në janarin e këtij viti u mbushën plot 25 vjet nga lindja e kësaj gazete, që përbën një datë simbol edhe për historinë e shtypit të lirë në Shqipëri. Ka mbi 25 vjet që dielli u shfaq rishtazi mbi mjegullën që ndenji aq gjatë mbi vendin, tokën, njerëzit, shtëpitë, shpirtrat dhe besimet tona. Si toka në dritën e diellit ndriçoi edhe “Drita Islame”, gazeta juaj e përdëllyer. Ju i gëzoheni këtij realiteti të ri me gjallërinë karakteristike që ju portretizon.

25 vjet më parë ‘Drita Islame’ ndezi dritën e saj për të mos ta shuar më kurrë. Ashtu si në këto 25 vjet kur ajo ka shkëlqyer me standardet e saj të larta, unë uroj që edhe për ne, lexuesit e saj, ajo të mbetet gjithmonë ‘dritë’.

Diku në fillim të shekullit XIX, në qytetin Vajmar të Gjermanisë, shkrimtari gjerman Gëte i mbylli sytë me fjalët “dritë”, ‘më shumë dritë’, e unë duke parë përputhshmërinë jo edhe aq rastësore të fjalës ‘dritë’ të Gëtes në ‘Dritën Islame’, marr shkas që këtë fjalim vlerësimi për gazetën apo revistën tuaj ta mbyll me urimin: ‘Dritë, sa më shumë dritë në kulturën tonë dhe në faqet e ‘Dritës Islame’ që mendjet e shpirtrat tonë të ndriçohen nga mirësia njerëzore!”, tha mes të tjerash presidenti Bujar Nishani.

Ndërsa Kryetari i Komunitetit Mysliman H. Skender Bruçaj, u shpreh se “Drita Islame” është një paketë optimale, e cila ofron këshillat dhe udhëzimet më të mira, me zbatimin e të cilave njeriu bëhet më i denjë për familjen, më i dobishëm për shoqërinë dhe për kombin në tërësi.

“Në këtë përvjetor të themelimit të saj, revista “Drita Islame” vjen me dëshirën për të hyrë në shtëpinë e çdo myslimani, dhe pse jo të çdo shqiptari, që do të mësojë sadopak për myslimanët, jetën dhe vizionin e tyre.

Duke përgëzuar të gjithë ata që janë bërë pjesë e kësaj reviste, si dhe stafin e saj për punën e kryer, që ajo të dalë në formën më të mirë, i urojmë jetë të gjatë dhe kandili i saj mos u shuajt kurrë”, theksoi z. Bruçaj.

Rolin dhe kontributin e revistës e përshëndetën edhe krerët e bashkësive islame të Kosovës dhe Maqedonisë si dhe kreu botëror i bektashinjve.

Gjatë konferencës u shfaq edhe një dokumentar mbi historikun e gazetës (revistës). Pas seancës së hapjes konferenca vijoi me promovimin e librit “Bibliografia e gazetës Drita Islame (1992-2011)”, si dhe me tre sesionet shkencore, ku referuan studiues të ndryshëm nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Në fund, Drejtoi i Kulturës, z. Dorian Demetja dhe Drejtori i Medias, z. Agron Hoxha shpërndanë certifikata mirënjohje për kontribuesit e saj ndër vite.

Pin It