Ndërron jetë Telat Agolli, themeluesi i Cirkut të Tiranës

telat-agolli-300x200

Një nga figurat më të shquara të artit të cirkut në Shqipëri, Telat Agolli, ka ndërruar jetë sot në SHBA.

Ai ka qenë ndër artistët e parë akrobatë i përfshirë në Trupën e Estradës së Tiranë (viti 1952), si profesionist. Krijues dhe themeluesi i Cirkut Profesionist Shqiptar,  Agolli ka qenë Udhëheqës Artistik dhe shpesh regjisor i Trupës së Cirkut, duke e çuar këtë trupë dhe këtë art në arritje të larta profesionale e artistike, në nivele bashkëkohore ndërkombëtare.

Në këtë aktivitet Agolli është shquar për nivel të lartë interpretimi të numrave akrobatikë, në zhanre të ndryshme të cirkut, të cilat kanë qenë të shumta, ku spikasin etydet akrobatike, numrat e ajrit, ato të ekuilibrit në trungje e biçikleta, në atë të ekuilibrit me bambu në ballë e supe, etj.

Telat Agolli lindi në 15 shkurt 1932 në Tiranë, mbaroi arsimin e lartë në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, ndërsa zhvilloi një vit klualifikim në për akrobaci në Kinë në 1960-1961. Kampion i vendit në gjimnastikë (viti 1954), kampion Kombëtar absolut prej 20 vjetësh në ngritje peshe me 99 rekorde kombëtare (aktiviteti 1950-1972), trajner Sporti i Klubit “17 Nëntori” dhe i ekipit kombëtar në ngritje peshe, ku u shqua për rezultate të larta në nxjerrjen e talenteve të reja e kampionë të ardhshëm në peshëngritje, si Ymer Pampurin Kampion Kombëtar dhe Olimpik, Bujar Bodinakun dhe Mirjam Hakanin, Kampionë dhe Rekordmenë Kombëtarë. Ai u dënua nga sistemi komunist me motivacionin “Agjitacion dhe propagandë ndaj sistemit” (1976-1982), vit kur u lirua nga burgu. Më pas u kthye në cirk, duke dhënë kontributin më të madh në ecurinë e mëtejshme të cirkut, në rolin e artistit dhe udhëheqës artistik.

Ai  është nderuar me titullin Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i merituar i Sportit, Nder i Sportit Shqiptar (nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, në vitin 2000), Mirënjohje nga Komiteti Olimpik Shqiptar, Kupa dhe medalje të ndryshme, vlerësuese dhe simbolike, dhënë nga në spektakle e ceremoni sportive dhe artistike, Nder i Sportit të Peshëngritjes, viti 2010. Telat Agolli është nderuar gjithashtu me titujt e lartë Artist i Merituar (1969) dhe Artist i Popullit (1975), si dhe është nderuar me Mirënjohjen e qytetit të Tiranës nga Këshilli Bashkiak, për vlera të larta qytetarie dhe intelektuale, të vëna në shërbim të qytetit të Tiranës në vitin 2000.

Pin It