Vdes shkrimtari nobelist italian, antikonformisti Dario Fo

Roma . Dario Fo - fotografo: benvegnù - guaitoli - lannutti

Ka ndërruar jetë ditën e sotme dramaturgu italian Dario Fo.  Fituesi i Çmimit Nobel për Letërsinë vdiq në moshën 90-vjeçare. Ai mori çmimin nobel në fushën e letërsisë më 1997 me librin e tij “Johan Padan në kërkim të Amerikës” (e përkthyer edhe në shqip). Ky çmim do t’i jepej me komentin e mëposhtëm:

“Çmimi Nobel për letërsinë i caktohet këtë vit shkrimtarit italian Dario Fo sepse duke ndjekur traditën e iocularis (nga latinishtja aktorë që fitonin para duke dhënë shfaqje përpara njerëzve, ose duke bërë mimika, akrobacira e të tjerë), rifitoi fuqinë duke i rikthyer dinjitetin të shtypurve.“

Dario Fo është kryesisht i njohur për tekstet e tij teatrale satirike. Kjo satirë politike, plotësohet shumë bukur edhe nga satira sociale. Ai ka qenë i angazhuar në lëvizje politike dhe ekologjike.

Dramaturgu i njohur vdiq në Milano, disa ditë pasi ishte shtruar në një spital. “Italia humbi një nga protagonistët e mëdhenj të teatrit dhe të kulturës”, deklaroi kryeministri italian, Matteo Renzi, i cituar nga agjencia italiane e lajmeve, AGI. Dario Fo fitoi famë ndërkombëtare me ”Misteri i çuditshëm” me temë nga Mesjeta dhe më pas me veprat “Vdekja aksidentale e një anarkisti” dhe “Marijuana e nënës është më e mira”.

 

Pin It