Në Shqipëri nuk ka radikalizëm fetar, por politik

Ilir-Metaa

Kryeparlamentari Ilir Meta ka marrë pjesë në punimet e komunitetit të “Pace”. Në fjalën e mbajtur Meta deklaroi se shqiptarët janë dëshmi e bashkëjetesës fetare. Sipas tij, vendi ynë nuk ka radikalizëm fetar, por për fat të keq ka radikalizëm politik.

“Në Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë probleme me radikalizimin fetar. Por për fat të keq kemi pasur dhe ende kemi disa probleme me radikalizimin politik. Ndaj toleranca dhe bashkejetesa mes të ndryshmëve në besim dhe politikë është një sfidë. Sfidën e parë e kemi fituar dhe bazuar tek ajo besojmë se do ta fitojmë dhe sfidën e dytë. Ekstremet dhe radikalizimi i çfarëdo lloj aspekti është mjaft i rëndësishëm.Këtë e dëshmojnë zhvillimet e fundit në botë dhe rajon. Për ta fituar këtë, bashkëjetesa është sfida jonë në të gjitha drejtimet”, – theksoi Meta.

Duke u ndalur në bashkëjetesën fetare, Meta tha se Shqipëria është një shembull për Ballkanin e luftrave, ndër to dhe fetare.

“Ballkani është modeli i djeshëm i përplasjeve dhe luftrave edhe me sfond fetar.Ndaj trashëgimisë së saj të rëndë duhet të luftojmë çdo ditë. Ekzistojnë ende rreziqet që ajo të ripërsëritet nëse harrojmë, kryesisht nga politikanë që armatosen me urrejtje kur bëjnë sikur flasin për paqe, që i takojnë të shkuarës dhe nuk mund të flasin për një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme, – vijoi kreu i Kuvendit. – Projekti i BE që vendet e rajonit tonë kanë përqafuar, hyrja në këtë klub demokracie si të ndryshëm por të barabartë është çlirimi përfundimtar nga e shkuara dhe një fillim i ri historik për të ardhmen e rajonit tonë. Në Shqipëri kemi ende shumë sfida. Të qënit një vend i varfër dhe me probleme ekonomike është sfidë që ne duhet dhe do ta përballojmë”.

Pin It