Nga Vetë Jeta – “Ora e qumështit”

Në njërën nga parqet e ngelura si të shtrydhura mes apartamenteve më luksoze të qytetit, jetonte një mace e çalë. Kafsha e gjorë ishte e detyruar të rrinte aty, sepse këmbën e kishte shtypur në trafikun e dendur të rrugës kryesore. Ajo ishte rritur shpejt nga ushqimet që hidheshin nga ndërtesat përreth dhe pas një viti u bë nënë.

Banorët e apartamentit, ngaqë nuk i rezistonin dot bukurisë së këlyshëve që ngjanin si topa dëbore, i shpërndanë duke marrë secili nga një e nga dy. Kishte ngelur vetëm një mace e dobët femër. Macja nënë besoi se njerëzit që i morën të vegjlit e saj, do t’i ushqenin më mirë ato se ç’mund t’i ushqente ajo vetë, prandaj e pranoi këtë situatë dhe gjithë dhembshurinë që kishte, ia kushtoi atij këlyshi që mbeti tek ajo.

Kaluan disa stinë. Banorët e apartamentit panë se nënë e bijë kishin pjellë këlyshë në të njëjtën kohë. Macja e çalë, në ditët kur po shijonte kënaqësinë e të qenurit nënë për herë të dytë, ishte bërë njëherësh edhe gjyshe. Por nga përvoja që kishte, ajo ushqente vetëm këlyshët e saj. Nipërit trazovaçë që nganjëherë vinin tek ajo për të pirë qumësht, i përzinte duke i dërguar tek e ëma. Ashtu është, gjithsecili këlysh duhet të pijë qumësht tek e ëma e vet dhe duhet të merrte nga ajo atë dashuri të pafund. Banorët e apartamentit e kishin vënë re këtë gjë dhe e vlerësonin sjelljen e gjyshes. Madje kishte nga ata që thonin se ajo nuk do t’i jepte qumësht nipërve të saj, qoftë edhe gabimisht.

Ata njerëz që mundoheshin të largonin mendjen nga lodhja e ditës duke parë nga parku ku jetonin macet, vunë re se situata për të cilën ishin bërë dëshmitarë çdo ditë, kishte ndryshuar përnjëherësh. Macja gjyshe kishte përzier nipërit me këlyshët e vet dhe qumështin që nuk ua kishte dhënë deri atëherë, kishte nisur t’ua jepte me bujari. Madje kishte marrë përsipër edhe pastrimin e tyre, duke i lëpirë.

Nipërit, të cilët i kishte marrë uria së tepërmi, ndërkohë që po ushqeheshin në krahët e dhembshur mikpritës, nuk e dinin se nëna e tyre kishte ngelur nën rrotat e një makine.

 

Pin It