Ngrohja globale, nënshkruhet marrëveshja “monumentale”

ana9_001

Më shumë se 150 vende të botës nënshkruan në Ruanda marrëveshjen për reduktimin e gazrave ndotës që shkaktojnë ngrohjen globale. Marrëveshja ka të bëjë me gazrat e ndryshëm HFC që prodhojnë pajisjet elektro-shtëpiake si frigoriferët dhe kondicionerët.

Marrëveshja, e cila është cilësuar monumentale për nga rëndësia, parashikon reduktimin e HFC-ve duke filluar nga viti 2019. Sipas marrëveshjes vendet e zhvilluara si BE dhe SHBA duhet të fillojnë brenda pak vitesh të pakësojnë përdorimin e pajisjeve që çlirojnë HFC. Ndërsa vendet me ekonomi pak të zhvilluar si India, Pakistani, Irani dhe Iraku do të bëjnë të njëjtën gjë duke filluar nga viti 2028.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, e quajti arritjen e marrëveshjes si një fitore për planetin Tokë.

“Është një hap monumental përpara, që u jep zgjidhje nevojave individuale të vendeve, por që na jep neve mundësinë për të reduktuar ngrohjen e planetit”, deklaroi Kerry për BBC.

Po kritikë të marrëveshjes shprehen se ajo mund të mos ketë efektet e dëshiruara, duke mos rezultuar vërtet ndihmuese në shmangien e ngrohjes globale.

Pin It