Nis viti i ri shkollor, 392 mijë nxënës përpara sfidave të reja në rrugën e dijes

business class for kids

Filloi sot viti i ri shkollor 2016-2017 për të gjithë nxënësit dhe mësuesit e arsimit parauniversitar në të gjithë vendin.

Nxënësit nga klasa e parë deri në të 12-tën u ulën edhe një herë në bangat e shkollës për një tjetër vit në kërkim të dijes. Gjithsej 392 mijë djem e vajza të moshave të ndryshme, prej të cilëve rreth 27 mijë janë nxënës të klasës së parë, dhe rreth 30 mijë mësues e edukatorë rinisin misionin e tyre të përvitshëm.

Ndërkohë në qytete të ndryshme të vendit, përfshirë Tiranën, vijon pajisja e nxënësve me tekstet e reja mësimore, ndërsa në disa raste raportohen radhë të gjata para librarive. Në ndryshim nga vitet e kaluara, këtë vit shitja e librave është bërë vetëm në librari dhe jo në shkollat përkatëse.

Nga ana tjetër ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, premtoi më shumë vëmendje ndaj nxënësve me aftësi të kufizuara, komunitetit rom, fëmijëve jetimë etj. Ajo tha se është lehtësuar ngarkesa mësimore për nxënësit e shkollave të mesme dhe se tekstet e reja janë të unifikuara me sistemet arsimore europiane.

Ndërsa ministri Blendi Klosi, gjatë vizitës në shkollën profesionale “S. Bandilli” në Berat, theksoi nevojën për profesionalizimin e arsimit të mesëm profesional.

Si gjithnjë, këtë fillimviti nuk kanë munguar urimet e shumta të politikanëve dhe personaliteteve të ndryshme publike.

Redaksia e Spektrum Group gjithashtu iu uron të gjithë nxënësve dhe mësuesve një vit shkollor sa më të suksesshëm.

Pin It