OSHEE, pensionistët kryefamiljarë në skemë të veçantë

pensionie

OSHEE rinovon skemat lehtësuese për abonentët debitorë, duke krijuar lehtësi për pensionistët dhe familjet në nevojë. Risi është futja në skemë të veçantë e pensionistëve kryefamiljarë, duke u dhënë mundësi të paguajnë këste më të vogla se skemat e mëparshme, duke iu hequr të gjithë kamatëvonesën, kundrejt pagesës 20 lekë. Kështu, Këshilli Mbikëqyrës i OSHEE-së miratoi të mërkurën skemën e përfitimit për pensionistët kryefamiljarë të cilëve, pavarësisht nëse përfitojnë ose jo, kompensim për faturat e energjisë elektrike, që nuk kanë pasur aktmarrëveshje deri më 31 dhjetor 2015 për detyrimet e papaguara deri në datën 30 nëntor 2015, iu reduktohet vlera e kamatëvonesës kundrejt pagesës prej 20 lekësh. Kjo falje zgjat deri më 31 dhjetor 2016, me të vetmin kusht, respektimin e pagesës së kësteve dhe pagesës së faturave korrente sipas afateve të përcaktuara.

Për të lidhur aktmarrëveshjen, duhet që pensionistët kryefamiljarë të paraqiten në sportelet e OSHEE-së për përditësimin e të dhënave të kontratës së furnizimit me energji elektrike. Dokumentet që duhen janë: Certifikata familjare që përcakton se pensionisti është kryefamiljar dhe data e shkëputjes nga trungu i familjes i pjesëtareve të tjerë, e cila duhet të jetë para 1 dhjetor 2015; Karat e identitetit; Libreza e pensionit; Konsumatori duhet të jetë mbajtës i kontratës së furnizimit me energji elektrike ose përdorues i pronës për më shumë se 3 muaj nga data e aplikimit për aktmarrëveshjen; Dokumentacioni që tregon se ka përfituar ose jo kompensim për faturat e energjisë elektrike në muajin e fundit.

Të gjithë pensionistët e tjerë të cilët kanë një aktmarrëveshje aktive me OSHEE-në përfitojnë reduktim të kësteve në masën 1200 lekë/muaj për ripagesën e detyrimeve të prapambetura dhe reduktimin e vlerës së kamatëvonesës kundrejt pagesës prej 20 lekë në fund të vitit 2016, në rast respektimi të pagesave dhe faturave korrente brenda afateve të përcaktuara. Edhe për këtë kategori kërkohet që certifikata familjare ta ketë datën e ndarjes nga trungu i familjes para datës 1 dhjetor 2015.

Sipas vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të OSHEE, është shtyrë deri në fund të qershorit afati i lehtësirave për familjet me ndihmë ekonomike, që kishin akumuluar borxhe për shkak të mospagesës së energjisë elektrike. Vendimi parashikon falje të kamatëvonesës, përkundrejt një pagese simbolike prej 10 lekësh. Skemat e ndihmës ekonomike për shtyrjen e afatit të aplikimit të tyre deri në fund të qershorit 2016, do t’i japin mundësi abonentëve që nuk janë paraqitur ende të përfitojnë nga reduktimet e kamatëvonesës, ose për lidhjen e aktmarrëveshjes së ndihmës ekonomike me 1200 lekë. Faljen e kamatëvonesës e përfitojnë automatikisht 22 mijë familjarë në nevojë që kanë respektuar kushtet e aktmarrëveshjes. Ndërsa 10 mijë të tjerë duhet të tregohen të rregullt me pagesat e energjisë përgjatë të gjithë vitit, për ta përfituar më 1 janar 2017. Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur gjithashtu, që për kategorinë e qytetarëve që janë aktualisht në aktmarrëveshje dhe kanë paguar në mënyrë të rregullt detyrimet, që llogariten rreth 30 mijë abonentë, iu ofrohet reduktimi i kamatëvonesës kundrejt pagesës së një shume simbolike prej 20 lekësh. Si në rastin e familjeve në nevojë, edhe për 11 mijë pensionistë kryefamiljarë që kanë borxhe ndaj OSHEE dhe do të kërkojnë lehtësira gjatë këtyre muajve do të duhet të provojnë se janë të rregullt me pagesat në 1 vit, për të përfituar faljen e kamatëvonesës. Shtyrje të afateve deri në qershor ka edhe për konsumatorët familjarë, që në rast të pagesës së menjëhershme të borxhit, përfitojnë reduktim kamatëvonese në 70%.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, Këshilli Mbikëqyrës vendosi shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së ofertave deri në datën 30 qershor 2016 për përditësimin e kontratave provizore të konsumatorëve kundrejt kalimit në definitive pa pagesë.

Falje – Shtyhet deri më 30 qershor afati për skemën e reduktimit të kamatëvonesës kundrejt pagesës në 10 lekë të konsumatorëve me ndihmë ekonomike

Aktmarrëveshja – Përfituesit e ndihmës ekonomike që lidhin aktmarrëveshje me këste 1200 lekë/muaj përfitojnë shuarje të kamatëvonesës duke paguar 20 lekë

Reduktim – Konsumatorët familjarë që paguajnë menjëherë detyrimin, përfitojnë reduktim kamatëvonesë 70%. Oferta zgjatet deri më 30 qershor

Biznesi – Shtyhet afati për reduktim kamatëvonesë në masën 50% për biznesin në rast të pagesës së menjëhershme

Kamatëvonesa – Biznesi i vogël që është debitor vetëm për kamatëvonesën, sipas skemës paguan 100 lekë

Detyrimi – Biznesi që ka detyrime më të vogla se 5 mijë lekë për periudhën 2007-2014, paguan 1000 lekë.

 

Pin It