Pedagogu Shezai Rrokaj sfidon Metën për drejtimin e LSI

meta-rrokaj

Pedagogu, njëkohësisht anëtari i LSI-së Shezai Rrokaj ka vendosur të sfidojë Ilir Metën në zgjedhjet e 6 nëntorit për drejtimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kështu, kryetari aktual Ilir meta dhe Shezai Rrokaj janë dy kandidaturat e vetëshpallur deri tani për garën e 6 nëntorit. Në këto zgjedhje Meta kërkon të rikonfirmojë qëndrimin e tij në krye të partisë që e ka themeluar vetë ndërsa akademiku Rrokaj kandidon për herë të parë.

Pas mbledhjes së Kryesisë, Rrokaj shpjegoi se vendosi të kandidojë për kryetar të LSI.

Shezai Rrogaj: LSI është e hapur ndaj shoqërisë civile, idetë e mia janë bërë publike edhe në postin që unë kam mbajtur. Mendoj se pas një përvoje si kryetar i Tiranës, i drejtimit të Tiranës së mëparshme dhe Tiranës tani si Bashki, mendova që idetë e mia dhe platforma ime do ta shëndoshë LSI dhe në fund të fundit alternativat i bëjnë mirë një partie. Partia ka nevojë të hapet më shumë ndaj bazës, më shumë të rritë perfomancën e saj në bazë. Mendoj që idetë e mia do të dëgjohen me vëmendje nga anëtarësia e partisë. Unë dhashë shembullin tim, mund të mos jem i vetmi, mund të ketë dhe anëtarë të tjerë sepse gara është e hapur për të depozituar emrat për kandidim. Do të shkojmë përpara, anëtarësia do të vendosë se kush duhet të jetë fitues.

Rrokaj ka shprehur edhe prioritetet e tij në lidhje me platformën e partisë. Ai tha se do të hapë partinë për shoqërinë civile dhe do të forcojë akoma më shumë bazën

Shezai Rrokaj: Platforma ka elementët e parë. Ajo niset nga disa postulate kryesore. Hapja e partisë ndaj shoqërisë civile, partitë tona kanë nevojë të jenë më pak agresive, shqiptarët kanë shqetësime shumë më të mëdha. Mendoj se zbutja e toneve dhe e konfliktit do të jetë një nga drejtimet e mia ku shpresoj që partia të zbutet nga militantizmi dhe fanatizmi politik dhe të hapet më shumë ndaj shoqërisë, të bëhet më shumë qytetare dhe të promovojë më shumë vlerat e intelektualëve, të ketë më shumë performancë në bazë, ta dëgjojë më shumë bazën. Ndodh që shpesh herë partitë e shfrytëzojnë bazën për tu zgjedhur apo në fushatat elektorale qeveritarët dhe deputetët e shfrytëzojnë bazën sa për tu zgjedhur dhe pastaj nuk i kthejnë sytë nga ajo. Unë jam për një model ndryshe, vij nga shoqëria civile,  dua të sjell mendimin tim të shoqërisë civile. Unë kam garuar në pozicione të tjera, edhe në pozicione politike, edhe pozicione akademike. Them se një frymë e tillë vetëm mirë i bën LSI.

Pin It