Pensionet rriten me 1.6%, ndryshime edhe në trajtimin e individëve me kontribut në shoqëri

Retirement-web

Rreth 635 mijë pensionistë në të gjithë vendin do të përfitojnë nga rritja e pensioneve për këtë vit. Qeveria shqiptare miratoi të mërkurën rritjen e pensioneve me 1.6% për vitin 2016, si dhe disa ndryshime të rëndësishme në ligjin e pensioneve në lidhje me trajtimin e pabarabartë, procedurat e zgjatura etj.

Kjo rritje prek në total reth 461 mijë pensione qyteti, 142 mijë pensione fshati dhe 32 mijë pensione të parakohshme suplementare të ish-ushtarakëve. Në kategorinë e fundit përfshihen edhe policët dhe punonjësit e Gardës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë si dhe trajtime të veçanta, të ish-punonjësve të nëntokës, të industrisë ushtarake, ish-pilotëve, ish-ushtarakëve të nëndetëseve.

Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, tha se rritja e pensioneve këtë vit është llogaritur bazuar tek çmimet e shportës së konsumit posaçërisht për pensionistët.

“Kjo na ka dhënë mundësinë të bëjmë një rritje të pensioneve më të lartë se çmimet e inflacionit të shportës për pjesën tjetër të qytetarëve”, – theksoi ai.

Vendimi do të nisë zbatimin nga data 1 gusht, kostot financiare të këtij projektvendimi pritet të jenë 662 milionë lekë, të cilat do të përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit për vitin 2016.

Po ashtu ndryshimet në ligjin për pensionet parashikojnë edhe barazimin e pensioneve për figurat e artit, kulturës dhe sportit, të cilat janë vlerësuar në mënyra të ndryshme, në varësi të kohës kur kanë dalë në pension.

“Këto pensione kanë qenë jo të barabarta, duke qenë se në vite të ndryshme trajtimet me pensione të vecanta kanë qënë të ndryshme. Për këtë shkak këto emra të shquar të këtyre fushave, ndaj të cilëve kemi të gjithë nderimin dhe respektin maksimal për kontributin që kanë dhënë, kanë marrë pension jo të barabartë”, – u shpreh ministri Klosi.

Pin It