“Për Trashëgimitë Kulturore dhe Muzeve”, ligj i ri për mbrojtjen dhe administrimin

Ruajtja, mbrojtja, vlerësimi dhe administrimi i trashëgimisë kulturore, është në fokus të projektligjit “Për Trashëgimitë Kulturore dhe Muzeve”, i cili po shqyrtohet në komisionin parlamentar të Medias.

E pranishme, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, deklaroi se “kur nisëm amendimin e këtij projektligji, kuptuam se duhej patjetër të shkonim në një ligj të ri. Ne konstatuam se shtrirja e fushës së trashëgimisë kulturore nuk është e ndryshme nga ajo e muzeve, pasi vetë muzetë janë pjesë e trashëgimisë kulturore si në pjesën e promovimit dhe atë të vlerësimit , por edhe me pjesën e objekteve si inventarë të pasurisë së trashëgimisë kulturore të luajtshme që shtrihet brenda fondeve muzeore dhe brenda koleksioneve private”.

Gjatë seancës dëgjimore në komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ku opozita propozoi që projektligji të kthehet në kod, Kumbaro u shpreh se ”ky është një ligj që ka katër shtylla, ruajtjen, mbrojtjen, vlerësimin dhe administrimin. Në këtë mënyrë nuk mund të kishim dy standarde një për trashëgiminë dhe një për muzetë”.

Duke folur për projektligjin, Kumbaro tha se “ne i jemi referuar modelit italian, i cili ka në fakt një tjetër kulturë, një tjetër histori dhe një tjetër traditë juridike ndryshe nga e jona. Ne u nisëm nga përmbajtja e ligjit italian si një vend me trashëgimi kulturore shumë të pasur , si nga forma e menaxhimit ashtu edhe nga forma e financimit dhe administrimit”.

Sipas saj, ne aty kemi marrë një pjesë të elementëve dhe formave të menaxhimit apo një pjese të mënyrës se si rregullohen marrëdhëniet privat-shtet .

“Më lejoni tu citoj që legjislacioni ndërkombëtar të cilit ne iu referuam në hartimin e këtij ligji vë në krye të kësaj liste, ligjin bullgar të trashëgimisë kulturore , i cili është cilësuar nga UNESCO , si një ligj kompleks dhe gjithë përfshirës”, nënvizoi Kumbaro.

Ministrja u shpreh se i jemi referuar edhe ligjit anglez, i cili ka një lloj tjetër teksti, për shkak të kulturës juridike që ka për trashëgiminë kulturore.

Për pjesën e muzeve, Kumbaro tha se “i jemi referuar legjislacionit letonez, danez, anglez, portugez, maqedonas dhe malazez . Gjithashtu janë të gjitha konventat e Këshillit të Europës, që është Konventa Europiane për Mbrojtjen e Trashëgimisë Arkeologjike, Konventa për Trashëgiminë mbi vlerën e trashëgimisë Kulturore në shoqëri , si dhe konventat e UNESCO-s, që janë pjesë e të gjithë legjislacionit ndërkombëtar, të cilat i kemi referuar në këtë formë”.

“Ky projektligj disiplinon kërkimet arkeologjike dhe nënujore, pasi zbulimet arkeologjike janë pronë publike”, tha Kumbaro duke shtuar se ky projektligj përfshin edhe kulturën materiale dhe jomateriale sepse nuk janë vetëm kalatë dhe muzetë  pjesë e trashëgimisë kulturore, por edhe veshjet tradicionale bëjnë pjesë në të.

Ky pr/ligj synon përcaktimin e rregullave, procedurave dhe autoriteteve shtetërore përgjegjëse për ruajtjen, mbrojtjen, vlerësimin, administrimin e pasurive dhe vlerave të trashëgimisë kulturore, si dhe vlerave kombëtare të peizazhit, pavarësisht vendndodhjes së tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Ky pr/ligj përcakton gjithashtu rregullat bazë për mënyrën e organizimit, funksionimit dhe klasifikimit të muzeve në Republikën e Shqipërisë̈, si dhe strukturat përgjegjëse për ruajtjen, mbrojtjen, administrimin e pasurive kulturore, si dhe mbikëqyrjen e veprimtarive të tyre në shërbim të komunitetit.

”Për herë të parë ky projektligj i bën trajtim të veçantë dhe trashëgimisë kulturore jo materiale dhe gjithashtu theksohet fort fakti se gjithë shoqëria është pjesëmarrëse në mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe jo vetëm shteti ose qeveria”,tha Kumbaro.

Nëse ne, vijoi ajo, pranojmë që trashëgimia kulturore është pasuri kombëtare të gjithëve u lind detyra të kenë pjesën e përgjegjësisë në mbrojtje të detyrave në ruajtje dhe të të drejtave në gëzim të trashëgimisë kulturore e është pikërisht kjo që rregullon ky projektligj.

Gjithashtu synimi tjetër i këtij projektligji është vendosja e një ekuilibri të drejtë midis mbrojtjes së interesit publik dhe respektimin e të drejtës së pronës. Gjithashtu ky projektligj parandalon dhe dëmtimet e objekteve kulturore. Ministrja shtoi se ”ky projektligj për vendime shumë të rëndësishme siç janë fondacionet e posaçme vendimmarrjen nuk ja lë as ministrisë, as këshillave kombëtarë të ministrisë, as qeverisë po ja lë Kuvendit që është organi më i lartë vendimmarrës”.

ATA

Pin It