Po nëse kufijtë mbyllen?

45607_2217787eb8830f8f55a07e7f592b54d8

Nëse vendet që janë pjesë e marrëveshjes Shengen vendosin që të pezullojnë lëvizjen e lirë, atëherë ato do të kenë një humbje prej 1.4 trilionë eurosh në dekadën e ardhshme. Ky është rezultati i një studimi të ri të kryer nga fondacioni gjerman “Bertelsmann”. Numri i shteteve që kanë vendosur që të lejojnë shtetasit të lëvizin nëpër territoret e tyre pa pasaportë është 26, ku 22 janë pjesë e Bashkimit Europian. Ndërsa deri tani miliona njerëz po shijojnë avantazhet e të lëvizurit pa asnjë pengesë, ky sistem është vënë në pikëpyetje në javët e fundit. Shkak për këtë është numri i madh i emigrantëve përgjithësisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika, të cilët janë dyndur në Europë. Disa shtete, pjesë e lëvizjes së lirë, tashmë kanë prezantuar masat e reja të rrepta, ku u ndalohet njerëzve të lëvizin pa pasur mjete identifikimi. Por kjo ka sjellë një frikë të madhe mes biznesmenëve, të cilët tani mendojnë se i gjithë sistemi mund të shkatërrohet dhe humbjet e tyre do të jenë mjaft të mëdha. Në skenarin më të keq, nëse rivendosja e kufijve do të sillte rritjen e çmimeve të importit me 3%, atëherë kostoja për Gjermaninë do të ishte rreth 235 miliardë euro për 10 vitet e ardhshme. Ndërkohë që dëmi për Francën do të jetë 244 miliardë euro. Me mbylljen e kufijve, nëse çmimet e importit do të rriten me 1%, atëherë Bashkimi Europian do të ketë një humbje prej 470 miliardë eurosh në dekadën e ardhshme. “Nëse mallrat dhe njerëzit nuk lëvizin lirshëm brenda Europës, atëherë kontinenti përveçse po vuan rritjen e ngadaltë ekonomike do të jetë nën një presion edhe më të madh”, tha presidenti i fondacionit “Bertelsmann”, Aart De Geus. Studimi informon gjithashtu se një prishje e Shengenit do të rrisë kostot edhe për vendet jashtë BE-së, si Kina dhe SHBA-ja për 10 vitet e ardhshme. Shteti aziatik do të humbë 91 miliardë euro, kurse ai amerikanoverior 280 milionë euro. Vendet e BE-së janë të ndara sa i përket çështjes së emigrantëve. Në vitin 2015, mbi 1 milion refugjatë aplikuan për azil në Europë. Pjesa më e madhe e tyre janë vendosur në Gjermani. Suedia pasi pati një numër shumë të madh të azilantëve në vitin që u mbyll, 190 mijë, vendosi të mos pranojë më aplikime. Në Danimarkë dhe Norvegji prej kohësh janë mbyllur kufijtë. Por edhe Austria ka vendosur kuota ditore për numrin e azilantëve që do të pranojë. Ndërkohë që grupi i Visegradit, Polonia, Çekia, Sllovakia dhe Hungaria janë kundër marrjes së emigrantëve, të cilët, sipas tyre, nuk përshtaten me mënyrën perëndimore të jetesës. Presioni është mbi Greqinë, që duhet të sigurojë kufijtë. Por nëse numri i emigrantëve vazhdon të rritet dhe kontrollet bëhen më të rrepta, atëherë vendet e bllokut të BE-së rrezikojnë që ta shkatërrojnë marrëveshjen e arritur. Kjo do të sjellë në dekadën e ardhshme dëme të mëdha ekonomike.

Pin It