Qeveria: ” Investoni kursimet në tituj qeveritarë. “

collage4

Ministria e Financave dhe institucionet në varësi të saj ftojnë publikun të investojë kursimet në titujt qeveritarë. Instrumentet e borxhit njihen pak, prandaj Financat kanë nisur një fushatë promovimi të letrave me vlerë.

Avantazhet e investimit në këta tituj janë: Normë interesi e përftuar më e lartë se alternativat e tjera të investimit (depozitat bankare); Siguri shumë e lartë; Të tregtueshëm menjëherë në tregun sekondar. Instrumentet e borxhit janë afatshkurtër dhe afatgjatë. Letrat me vlerë që janë afatshkurtra cilësohen ndryshe si Bono Thesari me maturim 3-mujore, 6-mujore, 12-mujore. Instrumentet afatgjatë cilësohen ndryshe si Obligacione me maturim 2-vjeçare, 3-vjeçare, 5-vjeçare, 7-vjeçare, 10- vjeçare.

Bonot e thesarit janë instrumente që tregtohen me zbritje. Përfitimi nga investimi në bono thesari llogaritet si diferencë e çmimit të blerjes së bonove së thesarit me vlerën nominale të saj (vlerën e investimit). Në datën e maturimit të bonove të thesarit aplikohet tatimi mbi interesin e përfituar nga investimi. Tatimi është 15%. Ankandet për bonot e thesarit me afat 3-mujore dhe 6-mujore organizohen një herë në muaj, ndërsa për ato 12-mujore organizohen çdo dy javë. Shuma minimale e lejuar për pjesëmarrje në ankandet e bonove te thesarit në lekë është 300 mijë lekë, ndërsa për ankandet e bonove të thesarit në valutë është dy mijë Euro/USD.

Obligacionet tregtohen me “par value”. Kjo do të thotë që çmimi i blerjes së tyre është i barabartë me 100% të vlerës nominale (vlerës së investuar). Interesi paguhet çdo 6 muaj dhe në datën e pagesës së interesit, aplikohet tatimi mbi interesin prej 15%. Ankandet për obligacionet 2-vjeçare zhvillohen çdo muaj, ndërsa për të tjerat zhvillohen katër herë në vit, sipas një grafiku të shpallur tek faqet zyrtare në internet te Banka e Shqipërisë dhe te Ministria e Financave. Shuma minimale e lejuar për pjesëmarrje në ankandet e obligacioneve në lekë është 500 mijë lekë, ndërsa në ankandet e obligacioneve në valutë është 3 mijë Euro/USD. Individët mund të marrin pjesë në ankandet e titujve qeveritarë: a) Nëpërmjet sporteleve të Bankës së Shqipërisë (vetëm për bonot e thesarit në lekë); b) Nëpërmjet subjekteve të licencuara nga AMF, bankat e nivelit të dytë (për bonot dhe obligacionet).

 

Për të marrë pjesë në ankand nëpërmjet Bankës së Shqipërisë ndiqet kjo procedurë: 1. Hapja e një llogarie Cash-i për pjesëmarrje në ankand, pranë një banke të nivelit të dytë; 2. Derdhja e fondeve që do të investohen në llogarinë e Cash-it të hapur për këtë qëllim; 3. Marrja nga banka e nivelit të dytë e IBAN-it dhe vërtetimit për bllokimin e shumës për pjesëmarrje në ankandet e Bonove të Thesarit; 4. Paraqitja e IBAN-t të llogarisë së cash-it të hapur dhe vërtetimit për bllokimin e shumës për pjesëmarrje në ankand pranë sporteleve të Bankës së Shqipërisë, ku hapet llogaria e titullit dhe plotësohet kërkesa për pjesëmarrje në ankandin e bonove të thesarit. Marrja pjesë në ankand nëpërmjet bankave bëhet me këtë procedurë: Hapja e një llogarie cash-i dhe titulli për pjesëmarrje në ankandin e titujve qeveritarë, pranë bankës; 2. Derdhja e fondeve që do të investohen në llogarinë e hapur për këtë qëllim; 3. Plotësohet kërkesa për pjesëmarrje në ankand.

 

Pin It