UKT, zerohen mbifaturimet e faturave të ujit për 1020 klientë

water2

Ujësjellës Kanalizimet e Tiranës do të zerojnë mbifaturimet e faturave të ujit për 1020 klientë në Kombinat dhe tek Rruga e Kavajës. Sipas UKT-së, persona nga jashtë, duke mos përjashtuar mundësinë për qëllime politike, kanë ndërhyrë dhe kanë manipuluar shifrat. Pas shqetësimeve dhe reagimeve të shumta të qytetarëve lidhur me mbifaturimin e ujit të pijshëm reagon bordi i Asamblesë së Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës.

Me qëllim verifikimin në detaje të së gjithë situatës problematike të krijuar ditët e fundit, Bashkia e Tiranës, Bashkia e Kamzës dhe Bashkia e Vorës zhvilloi një mbledhje emergjente, ku u vendos ngritja e një komisioni të posaçëm, i cili do të shqyrtojë me përparësi të gjitha rastet e mbifaturimeve të ujit të pijshëm në katër zonat ku janë hasur problemet si dhe gjithë situatën e performancës së UKT-së në këta pesë muaj

UKT siguron abonentët e prekur nga mbifaturimet se ato do të zerohen dhe do të njihen vetëm faturat reale që kanë bërë faturistët në terren. Të gjithë këta klientë do të paguajnë vetëm faturën sipas konsumit real. Lidhur me problemet e faturave abuzive, 4 ditë më parë pati një protestë të banorëve të Kombinatit, së cilës iu bashkua edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili iu premtoi banorëve zgjidhjen e këtij problemi. Po ashtu pati një reagim të kryebashkiakut Erion Veliaj, që paralajmëroi mbledhjen e Asamblesë në fillim të kësaj jave dhe anulimin e çdo fature abuzive.

 

 

 

Pin It