Programi ‘Google Street View’ tashmë edhe në Shqipëri

map

 

“Street View” është programi i hartëzimit të teknologjisë “Google” që u mundëson përdoruesve të tij përmes një kompjuteri, telefoni inteligjent apo tableti që të shohin më në brendësi rrugët, objektet, zonat turistike apo qytete të tëra në pjesën më të madhe të globit.

Tashmë edhe Shqipëria është pjesë e këtij programi. Makinat e “Street View” do të nisin fotografimin nga 29 prilli e zonave turistike dhe rrugët e qyteteve kryesore shqiptare.

Ministrja e Inovacionit, Milena Harito, në një intervistë tha se nisja e këtij procesi është kurorëzimi i përpjekjeve të Shqipërisë për të mundësuar që edhe vendi ynë të bëhet pjesë e “Street View”.

“Ne kemi disa vite që bëjmë përpjekje përmes bashkëpunimeve të ndryshme me Google që ta bëjnë këtë proces edhe në vendin tonë. Makinat e Street View nisin punën më 29 prill dhe do të punojnë për 8 javë në qytetet kryesore të Shqipërisë, bregdetare dhe destinacionet turistike”, tha ajo.

“Do t’u japë besim turistëve të vijnë në Shqipëri dhe të shikojnë me sytë e tyre bukuritë tona natyrore dhe kulturore”, tha ajo.

“Po punojmë me Google që të njohë dhe të fusë në platformën AdSense edhe gjuhën shqipe, apo portalet që janë në gjuhën shqipe”, është shprehur më tej ministrja.

Pin It