Punonjësit e shtetit në testim të detyrueshëm

administrata ne provim

Këshilli i ministrave ka miratuar një vendim të posaçëm, i cili përcakton procedurat për testimin dhe nëse do të jetë  e nevojëshme, edhe trajnimin e punonjësve të shtetit.

Qeveria përmes procesit të testimit dhe trajnimit të punonjësve të shtetit, synon të ndërtojë sistemin e meritokracisë në administratën publike, por edhe një sistem që mundëson pajisjen e punonjësve shtetërorë me njohuritë më të reja të fushës respektive ku ata punojnë.

Sipas qeverisë, ky proces ka 3 objektiva:

  1. Të përcaktojë nëse nëpunësit civilë janë të përshtatshëm me pozicionin e punës që mbajnë.
  2. Të zbulojë aftësitë e tyre për zhvillimin profesional.
  3. Të përcaktojë nevojat për trajnime shtesë.

Për këtë arsye, çdo punonjës i shtetit do të hyjë fillimisht në një testim paraprak të detyruar. Sipas vendimit, testimi do të përfshijë të gjitha ndryshimet dhe të rejat, që i përkasin fushës përkatëse të nëpunësit.

Vendimi ka parashikuar edhe mënyrën e vlerësimit të punonjësve në testim. Sipas tij, nëpunësit që do të marrin pikët maksimale, nga 90 deri në 100 pikë, rekomandohen për ngritje në detyrë. Ata që do të marrin nga 51 deri në 89 pikë konsiderohen si të përshtatshëm për vendin e punës, ndërsa ata që marrin më pak se 50 pikë do të detyrohen t’i nënshtrohen një trajnimi tremujor intensiv dhe, nëse edhe pas këtij trajnimi do të vlerësohen negativisht, atëherë do të largohen nga puna.

Pin It