Raporti i FMN: rritja ekonomike e Shqipërisë është 3.4%

fmn

Rritja aktuale ekonomike e Shqipërisë është 3.4%, bazuar në raportin e fundit të publikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Në këtë raport thuhet se vitin e ardhshëm rritja pritet të përshpejtohet në 3.7%.

Përsa i përket konsumit privat ai pritet të rritet me 3.8% gjatë këtij viti, ndërkohë që në raportin e mëparshëm të FMN, atë të muajit maj vlerësonte një rritje të konsumit privat me 3.4%.

Pavarësisht se rritja e konsumit projektohet në rënie, në 2.7% gjatë vitit të ardhshëm, ky projeksion është rishikuar në territor pozitiv në krahasim me 6 muaj më parë, kur vlerësonte një rritje me vetëm 1.5%.

Fondi Monetar Ndërkombëtar rishikon në territor pozitiv edhe projeksionet për borxhin e jashtëm të vendit dhe ato për borxhin publik. Sa i përket inflacionit, Fondi Monetar Ndërkombëtar, projekton një normë pranë 1.1% gjatë vitit aktual, nga 1.9% që projektonte në muajin maj.

Pin It