Reforma në drejtësi, Prokuroria e Përgjithshme kërkon 845 mln lekë për SPAK

190669_image-5882411

Prokuroria e Përgjithshme kërkon 845 milion lekë për ndërtimin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Krimit të Organizuar të njohur si SPAK.

Ministria e Financave është njohur me shifrat financiare të kërkuara nga Prokuroria e Përgjithshme për institucionet e reja të drejtësisë, të cilat do të diskutohen para se të vendoset për miratim ose jo.

Fondi i pagave për prokurorët dhe administratën e institucionit kap vlerën 161 milion lekë. 30 milion lekë kërkohen për shpenzime të tjera si karburant, makina e materiale të tjera që do mundësojnë organizimin dhe funksionimin e punës në SPAK. Ndërsa buxheti i kërkuar për investimet në infrastrukturën e drejtësisë kap shifrën 654 milion lekë.

Në total të treja këto zëra financiarë kapin shifrën prej 845 milion lekë, që kërkohet për ngritjen dhe vënin në funksionim të SPAK-ut. Sipas Prokurorisë fondi prej 1 miliard lekësh i propozuar nga MF nuk është i mjaftueshëm.

“Ministria propozon vetëm një fond shtesë për pagat e prokurorëve, gjyqtarëve dhe oficerëve, ndërkohë haron që shumë shërbime të tjera që do kryhen në prokurori dhe gjykata nuk janë marrë parasysh. Këtu futen një sërë investimesh në godinat e prokurorisë si dhe shërbime të tjera, që mundësojnë mbarëvajtjen e punës në gjykata dhe prokurori,” thonë burimet nga Prokuroria.

Prokuroria e Përgjithshme pas zbatimit të reformës do ndahet në tre institucione, të cilat do të jenë Prokuroria e Përgjithshme, SPAK dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Pin It