Rruga e Kombit, Gjiknuri: Nuk do të ketë tarifë për kuksianët që përdorin transportin publik

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri deklaroi të mërkurën se, për banorët e Kukësit që përdorin transportin publik në “Rrugën e Kombit” nuk do të ketë asnjë tarifë.

Në një intervistë televizive në Report TV, ministri Gjiknuri tha se “qeveria do e marrë parasysh pjesën e komuniteteve në Kukës, Tropojë dhe Has. Jemi duke diskutuar që të ndryshohet kontrata për të adresuar disa shqetësime. Një ekip ndodhet në Kukës, ku po zhvillon takime me palët e interesuara për të mbledhur opinione për sektorë që mund të preken dhe bashkë me koncesionarin do të bëjmë ndryshimet e duhura. Ajo rrugë kalon në zonën më të varfër të vendit, por është me koston më të lartë dhe akoma nuk ka mbaruar”.

Për banorët e Kukësit që përdorin transportin publik nuk do të preken nga tarifat. Për banorët me mjete private do të ketë tarifë të reduktuar të arsyeshme. Për qytetarët e tjerë shqiptarë, shqiptarët e Kosovës dhe qytetarët e vendeve të tjera nuk do të ndryshojë tarifa, 5 euro. Jemi në negociata me kompaninë dhe banorët e Kukësit dhe para verës do të vendoset në fuqi tarifa.  Tarifa nuk do të ndikojë në uljen e pushuesve nga Kosova, theksoi Gjiknuri.

Ministri tha se të gjitha shpenzimet që do të bëhen do të rrisin ekonominë e vendit.

Ndërsa duke u ndalur në rrugën Tiranë-Elbasan, që vijon të marrë fonde, por ende nuk ka përfunduar, Gjiknuri u shpreh se për rrugën duhet edhe 18 milionë euro, ndërsa objektivi është që të përfundojë në muajin shtator të këtij viti.

/ATA/

Pin It