“Rruga e Kombit” jepet me koncesion 30 vjeçar, tarifa e kalimit do të jetë 5 euro

RRuga-e-KOmbit-637x424

Ministria e Transporteve ka bërë me dije se fituesi i tenderit për koncesionin e mirëmbajtjes dhe shfrytëzimit të autostradës Milot-Morinë është grupi turk i kryesuar nga “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd”.

Rruga e Kombit jepët me koncesion për 30 vite. Shumë shpejt kalimi në segmentin Milot-Morinë të Rrugës së Kombit do të bëhet kundrejt pagesës.
Ministria e Transporteve ka bërë me dije se oferta e paraqitur nga ky grupim kompanish përmban kërkesë për subvencion në shumën 5,600,000 Euro, investim fillestar të propozuar në shumën 50,622,174 Euro dhe investim në vazhdimësi në mirëmbajtje dhe operim të rrugës në shumën 320,604,079 Euro.

Oferta është zgjedhur fituese mbi dy konkurrentët e tjerë në tender.

Ajo që dihet me saktësi për momentin është që çdo veturë që do të kalojë në këtë segment do të paguajë tarifën prej 5 euro.
Burimet zyrtare nga Ministria e Transporteve bëjnë me dije se termat përfundimtare të kontratës me koncesionarin do të negociohen nga shtatori i këtij viti.
Negociatat parashikojnë përcaktimin e tarifave të kalimit për llojet e ndryshme të mjeteve të transportit apo të udhëtarëve.
Negociatat do të përcaktojnë gjithashtu edhe banorët e zonave që do paguajnë tarifa të reduktuara apo tarifa zero për kalimin e saj, në bazë të vendndodhjes me këtë segment të rrugës.
Ministria e Transporteve bën gjithashtu me dije se koncesioni do të hyjë në fuqi gjashtë muaj pas nënshkrimit të kontratës me koncesionarin.

Pin It