Rishtetëzohen dy vendburime të rëndësishme të naftës

Oil rig

Shteti shqiptar do të rimarrë në zotërim dy nga vendburimet më të rëndësishme të naftës në vend. Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, autorizoi kompaninë shtetërore Albpetrol që të rimarrë në pronësi shtetërore vendburimet e Gorisht Koculit dhe të Çakran Mollajt.

Vendimi erdhi pasi kompania koncesionare Transatlantic Albania nuk përmbushi detyrimet kontraktuale, duke krijuar 30 milionë dollarë borxhe ndaj shtetit. Albpetrol njoftoi se pas marrjes në dorëzim do t’i shfrytëzojë vetë të dyja vendburimet dhe fitimin e gjeneruar nga shitja e naftës do ta derdhë në buxhetin e shtetit.

Vendburimet e naftës Gorisht Koculit dhe Çakran Mollajt u privatizuan në 2007-n, kur qeveria e atëhershme ia kaloi të dyja kompanisë Stream Oil. Kjo e fundit shfrytëzoi naftën dhe, pasi krijoi një borxh 35 milionë dollarë ndaj shtetit, u shit tek kompania Transatlantic. Pas këtij transaksioni, dy vendburimet, që dikur kanë prodhuar deri në 1.6 milion tonë naftë në vit së bashku, kaluan nëpër një varg manovrash financiare për të shmangur pagesën e borxheve ndaj shtetit.

Ky vendim i ministrit Gjiknuri është marrë edhe për arsye se dy vendburimet në fjalë, për efekt të detyrimeve ndaj të tretëve apo mospagesës së faturave të energjisë elektrike, kanë qenë të ndalura prej më se një muaji, duke sjellë përveç humbjeve ekonomike edhe një rrezik potencial për ambientin dhe jetën e njerëzve në afërsi të tyre. Ky përbën dështimin e parë zyrtar të një koncesioni në sektorin e naftës në Shqipëri, ndërkohë që edhe për marrëveshjet e tjera rezultatet kanë qenë kontroverse. Edhe pse thuajse e gjithë industria e naftës në vend është në duart e privatëve, e vetmja kompani që paguan tatim fitimi nga shfrytëzimi i saj është Albpetrol, kompania e vetme publike, ndërsa të gjithë koncesionarët privatë deklarohen çdo vit pa fitim, duke qenë se justifikohen me investime gjigande.

Ditën e djeshme, në orën 12:00, grupi i punës për marrjen në dorëzim të vendburimeve filloi procedurën e marrjes në dorëzim të puseve në të dy vendburimet. Të gjithë puset kanë qenë më parë në pronësi të shoqërisë Albpetrol, pasi shoqëria TransAtlantik nuk ka shpuar asnjë pus të ri gjatë 10 viteve të kohëzgjatjes së kësaj kontrate. Gjithashtu, nën mbikëqyrjen dhe bashkëpunimin e doganës së Vlorës u krye vulosja e depove (magazina fiskale). Në vendburim u gjet një sasi e vogël nafte bruto, e cila do të kalojë në pronësi të Albpetrol për efekt të uljes së vlerës së detyrimit.

Procesi parashikohet të zgjasë disa ditë dhe në përfundim të tij do të rivendosen menjëherë në punë Vendburimet dhe do të fillojë prodhimi i naftës. Albpetrol do t’i ofrojë të gjithë punonjësve, shumica e të cilëve kanë qenë edhe më parë punonjës të Albpetrol, kontrata 1-­vjeçare punësimi.

Pin It