Shqipëri-Izrael, Kreu i KMSH-së vlerëson marrëdhënien mes shqiptarëve dhe hebrenjve

skender-brucaj

Një ditë para ndeshjes Shqipëri-Izrael Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, përmes një mesazhi në rrjetin social Facebook, risjell në vëmendje vlerat njerëzore të popullit shqiptar.

Bruçaj përmend mikpritjen dhe harmoninë fetare mes shqiptarëve dhe mbrojtjen që populli shqiptar i ofroi popullit hebre gjatë Luftës së II-të Botërore. Krahas urimit për fitore për Kombëtaren Shqiptare, Bruçaj iu uron sportistëve nga Izraeli qëndrim të paqtë në token shqiptare.

“Krenarë për popullin tonë ndër shekuj, që diti historikisht të ruante vlerat më të larta humane, atë të mikpritjes dhe tolerancës e harmonisë ndërfetare.

Krenarë për të parët tanë myslimanë shqiptarë, besimtarë e bujarë, që strehuan mijëra hebrenj në shtëpitë e tyre gjatë Luftës së II-të Botërore, duke u bërë vendi i vetëm në Evropë, që kishte më shumë hebrenj pas lufte se para saj.

Sportistëve dhe mysafirëve nga Izraeli i uroj qëndrim të qetë e në paqe në tokën shqiptare!

Dhe gjithashtu i uroj fitore kombëtares së mrekullueshme shqiptare, për të cilën jemi të gjithë krenarë!” – shkruan Bruçaj.

Pin It