Dy mijë forca speciale për Shqipëri-Izrael, ja çfarë do t’u ndalohet tifozëve

policia-e-shtetit-800x447_1

Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për ndeshjen Shqipëri-Izrael që do të luhet nesër në mbrëmje.

Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj sfidë policia njofton se janë rreth 2 mijë efektivë që përfshijnë repartin e forcave speciale RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Drejtorinë e Policisë Rrugore, Drejtorinë e Antiterrorit, Forca të Posaçme Operacional dhe Drejtoritë e Policisë së Tiranë dhe Elbasanit.

Kontrolli fizik i tifozëve para hyrjes në stadium do bëhet nga F.N.SH. Në portat e hyrjes për në stadium do bëhet nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë me mbështetje të F.N.SH-së.

Policia shkruan se tifozët që kanë blerë bileta për të ndjekur në stadium këtë ndeshje duhet të paraqiten 4 orë përpara fillimit të ndeshjes, me qëllim shmangien e radhëve dhe konfuzionit gjatë check in-it të biletës.

Tifozët gjatë hyrjes në stadium do t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë dhe të imtësishëm.

Sendet që nuk lejohen: monedha metalike, çelësa, fishekzjarre, kapsolla, flakadanë, flamuj me shkopinj, shishe uji me tapë, si dhe çadra, banderola me parulla raciste dhe politike

Lejohet vetëm mbulesa prej plastmasi në rast shiu.

Të gjitha parkimet përreth stadiumit si dhe anës rrugës kryesore në qytetin e Elbasanit do të boshatisen, si dhe do mbyllen të gjitha lokalet përreth stadiumit 8 orë përpara fillimit të aktivitetit.

Më datat 11 dhe 12 Nëntor do të këtë kufizime të shpeshta të lëvizjes në drejtim të Elbasanit dhe anasjelltas për shkak të bllokimit të tunelit. Lëvizja për në Elbasan dhe anasjelltas gjatë këtyre dy ditëve të realizohet nga Durrësi.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve në zbatimin e këtyre masave, si dhe të tifozerisë për të zbatuar udhëzimet e dhëna nga Policia.

Pin It