Situata e motit dhe gripit, mblidhet Shtabi i Emergjencave

zyra-operacionale

Kryeministri Edi Rama mblodhi sot Shtabin e Emergjencave në zyrën operacionale për të diskutuar në lidhje me masat e nevojshme për menaxhimin e situates së përkeqësuar të motit në të gjithë vendin. Reshjet e dendura të dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë vështirësuar qarkullimin dhe kanë shkaktuar izolimin e disa zonave, ndërsa favorizojnë përhapjen e situatës gripale në vend.

Kryeministri Rama dekalaroi se masat e deritanishme, përfshirë pezullimin e mësimit, kanë qenë sa të domosdoshme, aq edhe efikase. Ai iu bëri thirrje qytetarëve që të kufizojnë lëvizjet.

“Ne jemi të angazhuar për të përballuar situatën dhe kemi ngritur shtabet e emergjencave. Akset rrugore për momentin janë të hapura”, ka thënë Rama.

Shemsi Prençi, Drejtor i Emergjencave Civile, raportoi për gjendjen e përgjithshme duke theksuar se kompanitë e kontraktuara s’kanë depozita kripe për të përballuar ngricën, ndaj edhe po u vihet në ndihmë nga Emergjencat Civile.

“Emergjencat Civile paralajmërojnë se reshjet e dëborës do të zbresin deri në lartësinë 200 metra dhe mundet të prekin edhe zonën bregdetare. Aktualisht 1/ 3 e vendit është e zbardhur. Dy segmente rrugore janë të bllokuara: Bogë- Theth dhe pjesa e Vermoshit. Në tre ditë do të kemi ulje të temperaturave deri në – 20 gradë. Edhe Shqipëria e Mesme do të jetë e përfshirë nga ngrica. Kompanitë kontraktore nuk kanë kripë mjaftueshëm për të përballuar situatën dhe sot janë marrë masa urgjente për t’u furnizuar të gjitha me kripë mjaftueshëm për të përballuar situatën. Po ashtu, janë ngritur shtabet e emergjencave në të gjitha qarqet”.

Sa i takon shëndetësisë Ministri Ilir Beqaj dhe kryeministri Rama theksuan se situata është e rënduar. Beqaj tha se do të pezullohen operacionet e planifikuara dhe se do të realizohen vetëm rastet urgjente, për shkak të fluksit.

Beqaj propozoi gjithashtu edhe mbylljen e shkollave edhe për një javë tjetër:

“Ditët në vijim do të marrim në konsideratë faktin nëse do të mund të mbahen shkollat të mbyllura edhe gjatë javës së ardhshme. Gjithashtu do të sugjeronim edhe anulimin e aktiviteteve kulturore. Për këto të dyja do të dalim shpejt me një vendim”.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti tha se nuk parashikohen përmbytje për shkak se nuk do të ketë reshje me intensitet të lartë, ndërsa tha se dikasteri i tij po përqendrohet tek sigurimi i bazës ushqimore për bagëtitë në zonat malore.

“Hidrovoret janë të furnizuara në mënyrë sistematike me energji dhe nuk kemi asnjë pompë me defekt dhe jemi në gatishmëri të plotë. Nuk besoj se do të ketë përmbytje për shkak se nuk ka intensitet të lartë reshjesh. Problemi ynë është sigurimi me bazë ushqimore i bagëtive për shkak të ngricave. Jemi fokusuar për ngritjen e bazës ushqimore për bujqësinë. Për momentin që flasim nuk kemi situatë të tillë në vendin tonë. Situata është nën kontroll. Për momentin nuk kemi asnjë lloj kërcënimi. Kemi marrë masa për sigurinë e importit të shpendëve”, tha Panariti.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se situata pritet të vështirësohet në vazhdim, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të kufizojnë në maksimum lëvizjet.

“Parashikohet që situata të jetë më e vështirë. Drejtoria e rezervave të shtetit dhe drejtoritë në çdo qark kanë marrë masa për të siguruar minimum jetik për bazë ushqimore. Pushteti vendor ka marrë masa për strehimin e njerëzve në situatë rruge. U bëj thirrje qytetarëve të ndihmojnë duke njoftuar strukturat shtetërore dhe të kufizojnë lëvizjet në maksimum për të shmangur pasojat. Kemi bërë thirrje të gjitha kompanive që kanë marrëdhënie kontraktuale me shtetin shqiptar për hapjen e rrugëve dhe mos lejimin e ngricave. Sot të gjitha akset nacionale janë të kalueshme pa zinxhir, por ulja e temperaturave e bën më të vështirë në zonat veriore dhe verilindore. Të gjitha burimet njerëzore të Ministrisë së Brendshme janë në gatishmëri. Duhet edhe ndihma e qytetarëve për ta bërë më të lehtë për shkak të kësaj situate”, tha Tahiri.

 

Pin It