“Sonita”, filmi që rrëfen jetën e reperes afgane shpallet fitues i DocuTIFF

Sonita-filmi-1-28-640x458

“Sonita”, filmi dokumentar që rrëfen historinë e suksesit të një vazje nga Afganistani, është fituesi i edicionit të dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar në Tiranë. DocuTIFF u mbajt në datat 1-8 qershor dhe juria vlerësoi flimin e regjisores Rokhsareh Ghaemmaghami si më të mirin me motivacionin ““Sonita” është një histori e fuqishme, e treguar mrekullueshëm”.

Filmi bazohet në historinë e jetës së reperes afgane Sonita Alizadeh, së cilës iu desh të luftonte kundra martesës në moshë të hershme dhe mendësisë shtypëse për të realizuar ëndrrën e saj si muzikante në SHBA. Ajo u frymësua të shkruante muzikë pikërisht si një mënyrë reagimi ndaj familjes, e cila donte “ta shiste” përmes martesës së detyruar në moshë të vogël.

“Ato vajza të cilat martohen me dhunë nën moshë, humbasin fëmijërinë e tyre. Ato humbasin shpresën. Kur erdha në Amerikë, nuk më iknin nga mendja imazhet e fytyrave të shoqeve të mia – me shenja dhune dhe të frikësuara pasi kishin kundërshtuar familjet e tyre”, – shprehet Alizadeh që është frymëzimi i regjisores për këtë film.

Regjisorja është përfshirë emocionalisht në realizimin e filmit, i cili përshkruan edhe kulturën e jetesës në Afganistan dhe Iran.

Në festival u shfaqën rreth 180 filma që vinin nga 102 vende të ndryshme të botës, prej të cilëve 100 ishin konkurues dhe 80 filma ishin për prezantim.

 

Pin It