Strategji kombëtare kundër trafikimit. Kumbaro: Ndëshkim për këdo që guxon të prekë pasuritë kulturore!

apolloni1-1-300x200

apolloni2-300x200

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro tha ne konferencen e zhvilluar paraditen e djeshme ne Parkun e Apolonise, per sekuestrimin e objekteve te vjedhura se ruajtja e pasurive kulturore të vendit tashmë është një strategji kombëtare, por ruajtja e tyre është detyrë e të gjithëve.

“Dua ta përsëris, sepse nëse do të jemi të vetëdijshëm për thesaret e jashtëzakonshme që kemi, konkretisht banorët e Fierit dhe ne të gjithë, do të dimë t’i mbrojmë ato. Sepse është e pamundur që çdo gur të mbrohet me një roje apo me një polic, nëse ne të gjithë  nuk i mbrojmë. Është pikërisht ky sensibilizim i të gjithë faktorëve, që nga komuniteti, shkolla, pushteti lokal, padyshim qeveria, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët kanë treguar  sesi kur jemi bashkë mund t’i mbrojmë vlerat tona.

Kemi tre vjet që punojmë me  strukturat e policisë për të pasur një strategji kombëtare. Në fakt është një strategji kombëtare e aprovuar vitin e kaluar nga qeveria shqiptare, për luftën kundër trafikimit të pasurive kulturore, të cilat në 25 vitet e fundit, fatkeqësisht kanë humbur”, u shpreh Kumbaro ne kete konference ku ishte i pranishem dhe Ministri i Brendshem, Saimir Tahiri.

 
Ministrja e Kulturës, u  shpreh se ky është një tjetër operacion i suksesshëm pas atij të koleksionit të ikonave.  Ajo e quajti këtë një fitore të jashtëzakonshme, ku 264 objekte të periudhave të ndryshme dhe me vlera specifike, janë sot të sekuestruara nga Policia e Shtetit dhe të sigurta.

“Dua të falenderoj me gjithë zemër drejtorët e insititucioneve të Policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Kulturës që kanë bërë një punë të shkëlqyer dhe sot na japin kënaqësinë të kemi një miniekspozitë këtu në Apoloni.  Kushdo që do të guxojë të prekë pasuritë kulturore që na takojnë të gjithëve ka vetëm një rrugë, ndëshkim, por këtë e thotë më mirë Ministri i Brendshëm, sepse është pjesë e punës së tij”, vijoi më tej Kumbaro.

 Në fjalën e saj ministrja e Kulturës  theksoi faktin se me investimin që po kryhet aktualisht në Apoloni, ky park do të kthehet një ndër më të rëndësishmit në vend.


“Është një moment i rëndësishëm, sepse duam që në të njëjtën kohë, jo vetëm të tregojmë që kemi një pasuri të madhe dhe jo vetëm që e mbrojmë dhe e restaurojmë; Ndërkohë që ne flasim është duke u mbyllur një kantier i madh restaurimi në Parkun e Apolonisë, ku në një bashkëpunim me delegacionin  Europian, po investojmë mbi 700 mijë euro për ta bërë këtë park, pse jo ndër më të rëndësishmin në Shqipëri”,
tha ajo.

Ky projekt është pjesë e listës së projekteve të kombinuara që vijojnë Procesin e Lubjanës – Financimi i Rehabilitimit të Trashëgimisë në Evropën Juglindore, iniciativë e përbashkët e Këshillit të Europës dhe Komisionit Evropian dhe për të mbështetur restaurimin e trashëgimisë historike, si një gjenerator i kapitalit social dhe ekonomik, i cili sjell përfitime të prekshme për popullsinë lokale, duke inkurajuar turizmin kulturor./ATA

Pin It