Stresi gjatë tranzicionit, shkak i dhunës dhe agresivitetit në shoqëri

stress

Agresiviteti dhe dhuna në shoqëri mund të shpjegohen me nivelin e stresit. Psikologët thonë se ndryshimet e shumta sociale gjatë tranzicionit kanë ndikuar sjelljet e shqiptarëve.

“Sa më shumë stresi të kthehet në një gjendje, gjendja stresuese çon edhe në episode depresioni të shoqërisë dhe aq më tepër ne do të kemi sjellje deviante, ku futet edhe agresiviteti dhe kriminaliteti”, – thotë psikologia Denada Toçe.

Problemet e ndryshme sociale si papunësia, lojërat e fatit, emigracioni e të tjera në mungesë edhe të politikave sociale kanë krijuar terrenin për rritjen e agresivitetit. Sipas psikologes ndryshimi i menjëhershëm nga shoqëria e diktaturës në shoqërinë moderne ndikon në shtimin e dhunës në shoqëri.

“Ne kemi mungesë të instancave të politikave sociale. Çdo tranzicion politik, çdo tranzicion i klasave politike dhe çdo tranzicion që kjo shoqëri përpiqet të mëkëmbet, sepse këto ndryshime nuk kanë një formë rehabilitimi. Pra, shoqëria shqiptare ka një mungesë qëndrueshmërie dhe politike për t’u asistuar këtyre problemeve”, – shprehet Toçe.

Megjithatë psikologët thonë se dhuna ka ekzistuar edhe në të kaluarën, por rritja e ndërgjegjësimit dhe denoncimeve bën që ajo të dalë më në pah.

Pin It